E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Lëvizja e lirë, qeveria dështoi

Socialistët deklaruan dje se qeveria ka dështuar në premtimin për lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Sipas sekretares për marrëdhëniet ndërkombëtare, Arta Dade, realiteti qeverisës dhe situata në Shqipëri sa vjen dhe përkeqësohet. "Kjo vërtetohet edhe nga: raporti i OKB për krimin në Shqipëri, qëndrimet e BE-së, lidhur me krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor dhe në Shqipëri përmes komisionerit të Zgjerimit, Oli Rehn", tha ajo. Teksa shtoi se raporti i Prokurorisë së Përgjithshme për situatën e krimit në Shqipëri tregon se është rritur ndjeshëm krimi ekonomik. "Treguesit e korrupsionit janë sërish shqetësues, pra qeveria ka dështuar në të gjitha angazhimet e programit të saj qeverisës", vijoi Dade. Ajo këmbënguli se udhërrëfyesi i BE-së, lidhur me lehtësimin dhe liberalizimin e vizave, përfshin rekomandimet bazë siç është: siguria dhe besueshmërinë e dokumenteve të identifikimit, megjithëse kanë kaluar tre vjet, ende shtetasit nuk janë pajisur me dokumente jo lehtësisht të falsifikueshme. Ashtu edhe menaxhimin e integruar të kufijve, hedhja në rrugë e kapaciteteve të trajnuara nga BE dhe SHBA. "Ngjarja tragjike në Butrint, përveçse tronditi opinionin publik, rishtazi na shërben edhe si moment reflektimi dhe përgjegjshmërie për atë çka Partia Socialiste duhet t‘iu ofrojë shqiptarëve, menjëherë pas ardhjes në pushtet", theksoi Dade. Kjo qeveri, shtoi ajo, ka dështuar në premtimin për lëvizjen e lirë të njerëzve, sepse ka dështuar në përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Komisioni Evropian, shto këtu dhe imazhin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›