E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uithers shmang Kryeministrin Berisha

Mes Kryeministrit Sali Berisha dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, Xhon Uithers, mund të thuhet se ka filluar realisht "lufta e ftohtë". Festa e djeshme në ditën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka thelluar edhe më tej hendekun në marrëdhëniet mes tyre. Ndonëse ishin të ftuar në të njëjtin aktivitet, ata nuk preferuan për asnjë moment të shtrëngojnë duart dhe as të shkëmbejnë përshëndetje në distancë. Kjo situatë vjen pas tre deklarimeve të fuqishme të Uithers, në lidhje me sulmet ndaj prokurorisë. Ashtu sikurse takimi i ambasadorëve me kreun e opozitës duket të ketë acaruar më tej raportet. Përveç ftohjes mes diplomacisë perëndimore dhe Kryeministrit nuk u pa gjithashtu të kishte afrimitet mes Berishës dhe ish-ministrit Besnik Mustafaj.

Shmangia

I pari që mbërriti në ceremoninë e organizuar nga UNDP në ambientet e hotel "Sheraton" ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uithers. Ai shfrytëzoi rastin për të takuar miqtë e tij, diplomatë të vendeve të ndryshme perëndimore në kryeqytetin shqiptar. Një bisedë të veçantë, ai kreu edhe me ministrin aktual të Mbrojtjes, Gazmend Oketa dhe me ish-ministrin e Jashtëm, Besnik Mustafaj. Pas kurrizit të Uithers është shfaqur kreu i qeverisë, Sali Berisha, por duke mos preferuar të afrohet. Kryeministri ishte i shoqëruar nga përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Ambasadori i Bashkimin Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan, u shkëput në një moment nga biseda me kreun e diplomacisë amerikane në vendin tonë, duke u afruar te Berisha. Lohan ishte i vetmi ndër ambasadorët kryesorë perëndimorë që shpenzoi disa minuta me kreun e ekzekutivit shqiptar. Në disa momente, Berisha shikonte me bisht të syrit ambasadorin, i cili në pjesën më të madhe të kohës ishte me kurriz. Të njëjtin veprim me Uithers e bëri edhe zëvendësambasadori amerikan, Stiven Kristina, që iu bashkua "shefit të tij". Pak sekonda para se Berisha të largohej nga aktiviteti, Kristina u pa të afrohej nga dalja, por kreu i qeverisë me nxitim u largua. Teksa la sallën, nuk preferoi as të shkëmbente përshëndetje me ambasadorin gjerman, Bernd Borschardt. Situata duket të jetë përmirësuar paksa pas një kafeje që ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, pati në ambientet e hotelit me ambasadoren e Francës në Tiranë, Maryce Daviet.

Opozita

Vetëm dy ditë më parë ishte kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ai që ftoi në një tryezë të rrumbullakët ambasadorët e vendeve evropiane të akredituara në Tiranë. Përveç tyre, në darkën e punës ishin të pranishëm edhe ambasadori amerikan, Xhon Uithers, ai i OSBE-së, Robert Bosh, dhe i KE-së, Helmut Lohan. Një ftohje e tillë në marrëdhëniet mes ndërkombëtarëve dhe Berishës vjen pas qëndrimit të tyre në raport me sulmet që po i bëhet organit të akuzës dhe Kryeprokurores Ina Rama për rastin "Fazliç".

24 tetori, dita e Kombeve të Bashkuara

Kombet e Bashkuara shënuan dje ditën e tyre në shenjë përkujtimi të 24 tetorit, kur para 63 viteve u ratifikua Karta e OKB-së.

Karta, me të cilën u themelua Organizata Botërore, është firmosur më 26 qershor të vitit 1945, në San Francisko, ndërsa hyri në fuqi më 24 tetor, pasi e ratifikuan pesë anëtaret e përhershme - Kina, Franca, ish-BRSS-ja, SHBA-të, Britania e Madhe dhe shumica e nënshkruesve të tjerë. Si qëllime të OKB në Kartën përmenden ruajtja e paqes dhe sigurisë, zhvillimi i marrëdhënieve miqësore midis popujve, realizimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare ekonomike, sociale, kulturore dhe humanitare. Po ashtu, njëri prej qëllimeve të Organizatës Botërore është edhe lufta për respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, pa dallim të racës, gjinisë, gjuhës ose fesë. Dispozitat e Kartës së OKB-së janë obliguese për të gjitha anëtarët e saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›