E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Nuk e shkakton krizën bojkoti

PS ka reaguar sërish dje në lidhje me zbatimin e rekomandimit të Këshillit të Evropës që pritet të bëhen zyrtare javën e ardhshme. Ndërkaq, duke parë se theksi i ndërkombëtarëve është vënë tek bojkoti i opozitës, duke parë pa vend vazhdimin e tij jashtë institucioneve demokratike, PS thotë se nuk është bojkoti që shkakton krizën, përkundrazi, ai është pasojë e krizës. “Shqipëria është në krizë dhe në këtë mënyrë është artikuluar dhe nga ndërkombëtarët. Nuk është bojkoti që krijon krizën, por kriza që sjell bojkotin. Bojkoti tashmë është në dorë të Sali Berishës”, - tha dje sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në PS, Arta Dade. Ndërkaq, ajo theksoi kërkesat e partisë së saj, duke kushtëzuar hetimin parlamentar në mënyrë paraprake me hapjen e kutive. “Kërkesa jonë është e thjeshtë: Shumicën në një komision hetimor parlamentar, të pakushtëzuar në objektin e hetimit, që përfshin hetimin e kutive së bashku me materialet zgjedhore, për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit. Pa u garantuar e drejta e votës nuk mund të ketë demokraci në Shqipëri”, - tha ajo. Gjithashtu, Dade mbështeti qëndrimin radikal të shefit të opozitës, Rama, duke shtuar: “Për të risjellë demokracinë në këtë vend, ne do të përdorim çdo rrugë demokratike, pa lënë edhe protestat”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›