Islami: Të zbatohen rekomandimet e KiE-së
Nëse nuk zbatohen rekomandimet e fundit të Asamblenë Parlamentare të KiE-së, rrezikohen marrëdhëniet mes këtij institucioni dhe Shqipërisë. Këtë e deklaron Kastriot Islami, ish-anëtar i delegacionit shqiptar në këtë asamble, i cili është dhe deputet i PS-së. Në këtë moment, duket se PS, me gjithë dëshirën e shprehur për zbatimin e rekomandimeve, po e bën të vështirë këtë hap, duke vënë kushte të panegociueshme paraprakisht për mazhorancën. “Shqipëria vazhdon të monitorohet, të jetë një vend i cili ka ende elemente detyrimesh që nuk i ka plotësuar në kuadrin e të gjitha kërkesave dhe detyrimeve që ka Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Në qoftë se ky obligim që lidhet me sjelljen politike në Parlament dhe funksionimin e politikës shqiptare dhe Parlamentit në veçanti nuk do të jetë ashtu siç ndodh në çdo vend demokratik, ata e kanë përshkruar edhe në këtë raport që kjo do të prekë marrëdhëniet e Shqipërisë me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Deri ku do të shkojë kjo situatë nuk bëhet fjalë në këto momente”, - tha Islami. Kambanat bien sigurisht për PS-në, e cila po qëndron jashtë Kuvendit që prej nisjes së tij në shtator. Islami, i cili ka kundërshtuar këtë bojkot, nuk sheh më vend për ta vazhduar këtë qëndrim. Drafti, i cili do të votohet javën e ardhshme në Asamblenë e KiE-së, ka një karakter orientues pikërisht për të mos cenuar marrëdhëniet e një vendi ende në monitorim si Shqipëria dhe këtij institucioni. Në projektrezolutë rekomandohet dhe një zgjidhje e mundshme për situatën politike në Shqipëri që parashikon ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet dhe hapjen e negociatave mes palëve me Presidentin Topi si moderator.