E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr Sulaj-Kuli në Peqin, Daja në polici

Trajneri i Besës, Ilir Daja, është shoqëruar dje në polici pas ndeshjes që skuadra e tij humbi në transfertë 1-0 me Shkumbinin. 

Jetmir Halilaj

 Shkak për këtë është bërë një konfrontim fizik mes tij dhe donatorit të skuadrës peqinase, Dashnor Sula, i cili është edhe deputeti i kësaj zone. Ngjarja ka ndodhur në fund të pjesës së parë në dhomat e zhveshjes, por tekniku Daja është ndaluar dhe më pas është shoqëruar nga policia e Peqinit pasi ka përfunduar i gjithë takimi.
Ngjarja
Kanë mjaftuar disa batuta të ashpra mes trajnerëve të dy skuadrave, Gugash Maganit e Ilir Dajës, që situata të acarohej në fushën e nxehtë të Peqinit. Pas përfundimit të pjesës së parë, ekipet u janë drejtuar dhomave të zhveshjes, por aty debati është bërë akoma më i ashpër, madje janë shkëmbyer grushte mes drejtuesve. Futbollistë të Besës pohuan për “Panorama” se donatori Dashnor Sulaj ka hyrë në dhomat e zhveshjes për t’i kërkuar llogari Ilir Dajës, për debatin që ky i fundit pati me teknikun e Shkumbinit, Gugash Maganin. Në këtë moment deputetit Sulaj i ka dalë para futbollisti i Besës, Bekim Kuli, dhe pas një konfrontimi fizik, ai që e ka pësuar ka qenë lojtari, i cili ka përfunduar me tre të qepura në buzë. Në konfrontim e sipër ka ndërhyrë edhe trajneri Ilir Daja, i cili mësohet ta ketë shtyrë me forcë deputetin Sulaj.
Ndalimi
Pasi është qetësuar situata, skuadrat kanë hyrë sërish në fushë dhe ndeshja ka vijuar normalisht. Më pas, skuadra kavajase dhe trajneri i saj kanë hipur në autobus për t’u kthyer në qytetin e tyre, por policia ka ndalur autobusin dhe ka zbritur teknikun Ilir Daja, i cili është shoqëruar në komisariatin e policisë. Aty është marrë në pyetje për rreth një orë dhe thelbi i pyetjeve ka qenë përplasja fizike me deputetin e Peqinit, Dashnor Sulaj. Trajneri i Besës dhe futbollisti Bekim Kuli nuk kanë preferuar të japin komente për këtë incident, ndonëse është tentuar disa herë komunikimi me ta nëpërmjet telefonit. Lojtarëve dhe stafit kavajas u është komunikuar nga drejtuesit e klubit që të mos japin deklarata në media, por futbollistë të Besës, të cilët nuk kanë dashur të citohen, kanë pohuar se në dhomat e zhveshjes ka pasur një sherr. Kjo nuk është hera e parë që në fushën e Shkumbinit ndodhin të tilla incidente, por ndryshe nga herët e tjera, sherri nuk ka ardhur nga shkallët e stadiumit, por nga dhomat e zhveshjes.

Deklaratat

Gerti Haxhiu (Trajneri i Apolonisë)
“Ishim të ndërgjegjshëm për vështirësinë e këtij takimi, sepse luanim përballë një Tirane, që për mendimin tim është favoritja kryesore për titullin kampion. Ekipi ynë me gjithë dëshirën dhe volumin e madh të lojës që krijoi, nuk arriti të realizonte objektivin, kjo edhe për shkak se ende nuk kanë arritur të kenë përvojën e duhur. Në pjesën e dytë mund të them se kaluam dhe në aventurë, sepse s’kishim ç’të humbnim më. Pavarësisht nga humbja e pësuar, dua të përgëzoj ekipin tim për këmbënguljen, përpjekjen dhe shpirtin e garës që tregoi në këtë ndeshje”.

Blaz Slishkoviç (Trajneri i Tiranës)
“Ekipi i Tiranës futet në fushën e lojës për të fituar, pavarësisht se dhuron, apo jo spektakël dhe fitoren e arritëm që në pjesën e parë me një lojë të kujdesshme e racionale. Në pjesën e dytë, futbollistët e mi u tërhoqën paksa në mesfushën e tyre, duke i dhënë mundësi kundërshtarit që të organizonte sulme dhe të na godiste. Falë përvojës dhe zbatimit si duhet të detyrave të dhëna, ata jo vetëm arritën ta menaxhonin rezultatin, por arritën dhe të kundërsulmonin rrezikshëm. Morëm tri pikë me mjaft vlerë. Në të ardhmen, fitoret do të shoqërohen edhe me spektakël”.

Gugash Magani (Trajneri i Shkumbinit)
“Kjo ndeshje pa dyshim ka pasur një koeficient të lartë vështirësie, duke pasur parasysh ekipin që kishim përballë. Në pjesën e parë ekipi ishte disi në trysni edhe të publikut që kërkonte më së shpejti golin. Pjesa e dytë foli e gjitha për ne teksa kemi kontrolluar lojën dhe kemi shënuar. Në ndonjë moment mund edhe të ishim ndëshkuar por edhe mund të kishim shënuar më shumë se një gol. Tashmë do të shikojmë për takimin e radhës në derbin e prefekturës”.

Kategoria Superiore

Java e 4-t
Dje
SHKUMBINI - BESA            1 - 0
Rizvanolli 66’
APOLONIA - TIRANA            0 - 2
A. Lila 30’, Memelli 35’
FLAMURTARI-VLLAZNIA            1 - 0
Brajkoviç 24’
Sot
DINAMO - ELBASANI
Gjyqtar: Sokol Çekaj (Laç)
BYLIS - LUSHNJA
Gjyqtar: Kridens Meta (Tiranë)
TEUTA    - PARTIZANI
Gjyqtar: Aranit Lulaj (Vlorë)
Ndeshjet fillojnë në ora 16:00
RENDITJA
Ekipi     N    F    B    H    Gol    P
1. Tirana     4    3    1    0    5-1    10
2. Shkumbini     4    3    0    1    7-4    9
3. Vllaznia     4    2    1    1    5-3    7
4. Elbasani     3    2    1    0    2-0    7
5. Dinamo     3    1    2    0    3-1    5
6. Apolonia     4    1    1    2    3-5    4
7. Besa     4    1    1    2    3-4     4
8. Partizani     3    1    0    2    3-4    3
9. Flamurtari    4    2    0    2    3-3    6
10.Lushnja     3    1    0    2    2-4    3
11.Teuta    3    0    1    2    0-2    1
12.Bylis     3     0    0    3    3-8    0

Kategoria e Parë
Java e 3-të
DJE
BESËLIDHJA- ADA                3 - 0
Kruja 7’, Malasi 85’, Hamzaj 88’
SOPOTI - LUFTËTARI            1 - 0
Hajdari 60’
POGRADECI - SKRAPARI            1 - 1
Kllogjeri 13’ / Kotorri 74’
GRAMOZI - LAÇI                2 - 1
Do Santos 5’, 38’ / Xhetani 30’
SKËNDERBEU- KASTRIOTI             2 - 1
Çipi 36’, Çajku 78’ / Prela 43’
SOT
NAFTËTARI - BURRELI
Gjyqtar: Blendi Breshani (Tiranë)
TURBINA    - BILISHTI SPORT
Gjyqtar: Emirion Sino (Fier)
TËRBUNI    - DAJTI
Gjyqtar: Servet Bogdani (Durrës)
Ndeshjet fillojnë në ora 16:00

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›