Ndalon për dy muaj eksperimenti i Big Beng-ut
Nga Gjeneva shkencëtarët kanë njoftuar se eksperimenti më i madh dhe më i diskutuar në botë, ai i krijimit të Universit, do të ndalojë për rreth dy muaj për shkak të një defekti në aparatura. Super akseleratori “Large Hadron Collider” (Lhc), i cili u aktivizua më 10 shtator, ka pësuar një incident në një sektor. Analizat paraprake kanë treguar se problemi ka qenë elektrik në një pikë lidhjeje magnetesh. Edhe në fillim të javës akseleratori pësoi një incident dhe u fik për disa orë, por më pas u ndez sërish. Tashmë defekti i dytë po ndodh pak ditë para testit të madh, ku në të do të realizohej bombardimi me rreze protonesh në anën e kundërt të rrezatimit të parë, në përpjekje për të krijuar antilëndën. Problemi i prishjes së kontaktit mes dy magneteve ka sjellë rritjen e temperaturës, e cila për eksperimentin duhej të ishte konstante, - 271°C.