E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: PS e vendosur për transparencën e zgjedhjeve

Partia Socialiste forcon vendimin për të mos shkuar në Kuvend pa marrë përgjigjen për kërkesat e saj në mbrojtje të votës së 28 qershorit. 

TIRANE-  Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në PS, Arta Dade tha sot se qëndrimi i PS-së është i vendosur për kushtet që diktojnë marrëdhënien me Kuvendin dhe që kanë të bëjnë me rinumërimin e kutive të votimit dhe rishqyrtimin e materialeve zgjedhore.

“Kërkesa e Partisë Socialiste është ligjore dhe konform detyrimit për transparencë ndaj publikut dhe ndaj votuesve shqiptarë, si edhe në linjë me konstatimin e vëzhguesve ndërkombëtarë që në një të tretën e zonave zgjedhore procesi i numërimit është kryer keq ose shumë keq.”- tha znj. Dade.

Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në PS, akuzoi kryeministrin Berisha se po cënon integrimin e Shqipërisë me mosreflektimin për vjedhjen masive të votës.

“Sali Berisha duhet t’u shpjegojë shqiptarëve arsyen e vërtetë të këmbënguljes për të penguar hapjen e kutive e për të bërë transparencën e materialeve zgjedhore në ato zona që ne kemi kërkuar rinumërim.

Vjedhja e votës, korrupsioni elektoral dhe mungesa e transparencës rreth procesit zgjedhor në Shqipëri duhet të marrë fund dhe kjo do të bëhet vetëm përmes hapjes së kutive që mbajnë peng mandatet e vërteta të të zgjedhurve nga populli”- deklaroi Dade.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›