E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, përfshihen nga flakët magazinat e veshjeve



Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në tregun rom dhe në magazinat e veshjeve pasditen e dy ditëve më parë duke rrezikuar disa shtëpi përreth tregut. Gjithçka ka ndodhur rreth orës 18:30 minuta kur është njoftuar ekipi zjarrfikës. Zjarri ka rënë në pjesën fundore të tregut rom e më pas flakët kanë përfshirë magazinat dhe stendat e tregut. Banesat pranë tregut kanë qenë të rrezikuara dhe gjithçka është vështirësuar edhe me mungesën e ujit të njërit prej mjeteve zjarrfikës. Zjarri ka vazhduar për gati dy orë dhe dëmet materiale janë të konsiderueshme Ndërkohë kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve.

Berat

Mbytet në lumin Osum një 7-vjeçar

Po lahej në lumë bashkë me shokët, por rrjedha e ujit e mori atë me vete duke i shkaktuar dhe vdekjen. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në mesditë kur 7-vjeçari Kozma Nako është mbytur në lumin Osum pranë Urës Vajgurore në Berat. Mësohet se vogëlushi kishte shkuar në lumë bashkë me disa moshatarë të tij, por rrjedhja e lumit kishte marrë atë me vete duke e mbytur disa metra me tej. Shokët e të miturit njoftuan policinë që mbërriti pranë vendit të ngjarjes. Pas rreth më shumë se 2 orë kërkimesh, policia bëri të mundur gjetjen e trupit të pa jetë të djalit 7-vjeçar. Policia bëri të ditur se po heton shkaqet e kësaj ngjarjeje.

Durrës

Qarkullonte rrugëve i armatosur, arrestohet 19-vjeçari

Një 19-vjeçar i cili qarkullonte në rrugë i armatosur është kapur nga policia. Florian Qiraj, 19-vjeç lindur në fshatin Borizan të Krujës dhe banues në Fushë-Krujë është arrestuar dje nga uniformat blu të Durrësit pasi në automjetin e tij tip “Opel Tigra” me targë KR 9961 A u gjet një armë zjarri tip kallashnikov dhe dy krehra automatiku me fishekë. I riu u shoqërua menjëherë në komisariat ku u mor në pyetje, ndërsa policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit. Ndaj 19-vjeçarit Qirjat u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”.

Berat

Shkollat, infrastruktura në gjendje të rëndë

Do të nisë sërish me probleme viti i ri shkollor në Rrethin e Beratit. Stafit pedagogjik dhe nxënësve të shumë shkollave do t’u duhet të përballen me problemet që vijnë si pasoje e infrastrukturës, shumë prej të cilave ndodhen ende në gjendje skandaloze. Dy shkolla në këtë rreth nuk do t’i hapin dyert për të pritur nxënësit për këtë vit të ri shkollor, pasi nevojitet ndërtimi nga fillimi, ndërkohe që plot 30 të tjera kërkojnë ndërhyrje të pjesshme. Paradoksi qëndron në faktin se edhe pse fondet janë akorduar për ndërtimin e tyre, vonesat në procedura kanë bërë që ndërtimi të mos fillojë ende.

9 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›