E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 26 vjeçarit, goditi me thikë në grindje e sipër



Durrës – Një grindje për motive të dobëta gati sa nuk i ka marrë jetën Luan Dollanit, 30 vjeç banues në Durrës i cili është goditur me thikë në pjesën e barkut nga Leonard Bufi, 26-vjeç lindur në Pogradec dhe banues në lagjen nr. 8 Durrës. Askujt nuk ia mori mendja që një keqkuptim i vogël të shndërrohej në një sherr me pasoja të rënda për jetën e një prej personave të përfshirë në debat. Uniformat blu të Durrësit kanë vënë në pranga autorin e ngjarjes dhe po ruan me polic të dëmtuarin, për të marrë më pas nga ai deponimin për atë që ndodhi dje pasdite.
Ngjarja
Gjithçka ka ndodhur ditën e djeshme në afërsi të banesës së Rrapo T, në Durrës. Në grindje e sipër, 26-vjeçari ka nxjerrë thikën dhe ka goditur Luan Dollanin duke i shkaktuar dëmtime të rënda në trup. Sipas burimeve policore bëhet e ditur se Luan Dollani është transportuar për në spitalin e Durrësit ku i është nënshtruar një operacioni kirurgjikal dhe aktualisht ndodhet në sallën e reanimacionit nën kujdesin e mjekëve. Gjithashtu mësohet së është bërë i mundur arrestimi i autorit të ngjarjes nga forcat e policisë së Durrësit dhe materialet për hetime të mëtejshme i kanë kaluar Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje”.
Raste
Nuk mungojnë rastet kur grindjet mes të rinjve përfundojnë me pasoja të rënda, madje në ndonjë rast policia ka shkuar në vendngjarje për të hetuar vrasjen e ndodhur. Në qershor të këtij viti një ngjarje ka tronditur Elbasanin. Ngjarja ka pasur si protagonistë dy të mitur. Kështu një 14 vjeçar është ndaluar nga policia pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me thikë bashkëmoshatarin e tij. Burime të policisë bënë me dije se nisi procedimin penal në ngarkim të 14-vjeçarit me iniciale A. F., në klasën e shtatë pasi ka goditur me thikë, në pjesë të ndryshme të trupit, bashkëmoshatarin e tij, shtetasin J.L, duke i shkaktuar dëmtime. Korrikun e vitit që shkoi, në Durrës, Fation Shehu, 20 vjeç, pas një grindje me Renato Koçiajn, e qëlloi me thikë për vdekje këtë të fundit. Ngjarja e rëndë shkaktoi panik tek pushuesit dhe kalimtarët e shumtë. Vrasja e 18-vjeçarit alarmoi edhe uniformat blu, të cilët u vunë në ndjekje të autorit të krimit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit bënë me dije atëherë se viktima është grindur me 20-vjeçarin Shehu nga Dibra. Pas debateve dhe sharjeve të ndërsjella, Koçiaj është goditur me thikë në gjoks, ndërsa ekzekutori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Goditja ka qenë fatale për adoleshentin, i cili ka rënë mes një pellgu gjaku në rrugë. Pushues që kanë vënë re skenën e krimit, kanë shpejtuar t’i vijnë në ndihmë Renato Koçiajt, por gjithçka ka qenë e kotë.

9 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›