E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Qeveria, e paaftë për aplikim në BE

Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë, flet për situatën në Kuvend

TIRANË- Shqipëria nuk është ende gati të përmbushë standardet për të bërë aplikimin si vend kandidat për në BE. Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade, ka deklaruar dje në Kuvend se, raportet e fundit, por edhe takimet e ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha në Bruksel me Trojkën Evropiane, vërtetuan se Shqipëria, edhe pas katër vite qeverisjeje të Berishës, nuk është në gjendje të përmbushe standardet.

"Edhe në rast se aplikimi bëhet sikurse u shpreh Presidenti i Republikës, a i ka kjo mazhorancë kapacitetet e domosdoshme që do të përfshihen formalisht në përmbushjen e detyrimeve të aspektit teknik, që kërkon momenti i aplikimit? Kjo duket e vështirë të realizohet në kushtet e një amullie totale, që ka përfshirë praktikisht ngrehinën qeverisëse.

Gjithsesi, sikurse jemi shprehur edhe në rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë, i takon mazhorancës të studiojë e konsiderojë këshillat që vijnë nga miqtë e partnerët tanë. Një gjë është e qartë; kjo nuk mund të përdoret për kapital politik përpara zgjedhjeve të përgjithshme, sepse tashmë është e qartë për të gjithë shqiptarët, se kjo qeveri ka dështuar",- tha Dade.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›