Dako: "Bllokimi i buxhetit dëmton qytetarët e Durrësit"
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, reagon pas bllokimit të buxhetit
DURRËS- Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, deklaroi dje përmes një konference për shtyp se, mosmiratimi i buxhetit, për shkak të bllokimit nga këshilltarët e PD-së, (që kanë numrin më të madh të votave në këshill), dëmton rëndë qytetarët e Durrësit.
"Në vazhdim të kontratës që kam lidhur me qytetarët e Durrësit dhe të transparencës së punëve të bashkisë, po ju vë në dijeni se buxheti i bashkisë ka hyrë nëpër labirintet e politikës, duke i shkaktuar një dëm të madh qytetit tonë.
Që prej 3 vjetësh vazhdon telenovela e projektbuxheteve të bashkisë sonë, të cilët bllokohen nga këshilltarët e djathtë, që përbëjnë mazhorancën në Këshillin Bashkiak dhe miratohen vetëm në limitet kohore që lejon ligji. Kjo forcë politike, duke menduar se nëpërmjet kësaj strategjie ka nxjerrë përfitime politike, nuk ka prodhuar asgjë tjetër, përveç shtyrjes se projekteve në qytetin e Durrësit, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së jetesës të këtij komuniteti",- tha Dako.
Në bazë të ligjit për pushtetin vendor, buxheti duhej të ishte miratuar brenda datës 31 dhjetor të vitit që shkoi, gjë që nuk ndodhi, për shkak të pengesave që nxorën këshilltarët e PD-së në këtë bashki.
"Këshilltarët e mazhorancës, me forcën e kartonit, e përjashtuan nga rendi i ditës buxhetin, në një kohë që po vetë kishin caktuar, si datën e mbledhjes, ashtu dhe rendin e ditës. Një vendim i tillë politik, i ndërmarrë në kohën kur kriza ekonomike po troket në dyert e vendit tonë, është ose miopi politike, ose strategji antikombëtare",- tha Dako, i cili ka kërkuar zyrtarisht që buxheti të merret në konsideratë brenda 5 ditësh.
Ai u ka bërë thirrje këshilltarëve të djathtë që ta votojnë buxhetin për hir të interesave të qytetarëve.