E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërpritet mësimi në shkollën e Lozhanit

Pezullohet procesi mësimor në zonën e Lozhanit. Nxënës të fshatrave të kësaj komune nuk kanë mundur të shkojnë në shkollë për shkak të bllokimit të rrugëve nga bora. Një segment problematik në këtë komunë ku trashësia e dëborës ka qenë e madhe është bërë shkak për ndërprerjen e mësimit, ndërkohë që mjetet si rezultat i terrenit të vështirë malor nuk kanë mundur të bëjnë dot pastrimin e këtij segmenti rural nga dëbora. Bllokimi i rrugëve ka lënë pa mësim në ditën e parë të rifillimit të procesit mësimor për këtë vit të paktën 150 nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm, që arsimohen në shkollën e fshatit Lozhan të ardhur nga fshatrat e kësaj komune. Nisur nga fakti se rrugët kanë qenë të pakalueshme dhe nuk mund të bëhej as transportimi i fëmijëve drejt shkollës së fshatit Lozhan, është vendosur që për ditën e hënë të pezullohet mësimi. Sipas të dhënave nga drejtoria arsimore në të gjitha shkollat për Rrethin e Korçës ka rifilluar normalisht procesi mësimor, ndërkohë që në zonat e thella për shkak se reshjet e dëborës kanë shkaktuar edhe bllokimin e rrugëve rurale është vendosur që të mos bëhet mësim. "Në Rrethin e Korçës, edhe pse situata ka qenë e vështirë, për shkak të kushteve të motit dhe reshjeve të dëborës, është bërë transportimi i arsimtarëve drejt shkollave dhe nuk ka pasur ndërprerje të procesit mësimor, me përjashtim të rastit të shkollës së Komunës së Lozhanit. Këtu krahas vështirësive që janë hasur për lëvizjen e mjeteve të arsimtarëve, ka pasur një segment rrugor të bllokuar që ka bërë të pamundur ardhjen e nxënësve dhe si rrjedhojë është vendosur që gjatë ditës së hënë të pezullohet mësimi deri në përmirësimin e situatës në rrugë", ka thënë Andrea Mano, drejtori rajonal i arsimit në Korçë. Sipas tij, në zona të tjera malore, procesi mësimor ka nisur pa problem, pasi edhe pse ka pasur bllokim të akseve rurale, për shkak se arsimtarët janë banorë të zonës, kanë mundur të shkojnë në kohë në shkollat përkatëse. Ministria e Arsimit nxori të dielën një urdhër për mbylljen e një numri të madh shkollash në disa zona malore në Veri dhe Verilindje të vendit. Në këtë urdhër, nuk parashikohej mbyllja e ndonjë shkolle në Qarkun e Korçës, ku situata konsiderohej normale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›