E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade-Topalli, akuza për djalin dhe dhëndërrin

Një debat tjetër i ashpër ka qenë dje në Kuvend, ai mes Topallit dhe Dades. Kryetarja e Kuvendit, sapo deputetja e PS-së ka vërejtur që ngjarjet e Gërdecit dhe 21 janarit duhet të ndëshkohen, kryetarja e Kuvendit i ka kujtuar se kjo kërkesë është jashtë moralit, pasi djali i Arta Dades ka plagosur tre herë, me armë zjarri, dhe nuk është dënuar asnjëherë. Më poshtë, debati i plotë mes të dyjave.

Arta Dade: Fjalimet e urrejtjes të Kryeministrit, të përsëritura e ripërsëritura në korr apo solo, nga kolegë të mazhorancës, përbëjnë shkelje të hapur të Konventës së Këshillit të Europës. Edhe rasti i Gërdecit, apo reagimi i strukturave nën komandën e qeverisë kundër demonstruesve, deri në përdorimin e armëve kundër njerëzve të paarmatosur, që morën jetë njerëzish të pafajshëm, përbën dhunim të konventave, ku Shqipëria është palë në kuadrin e strukturave Euroatlantike të sigurisë.

Jozefina Topalli: E dashur, në Parlament duhet të vendosim një standard në fakt. Në qoftëse në Parlament ka deputetë, fëmijët e të cilëve plagosin, njëherë djalin e një nëne, plagosin për herë të dytë, plagosin për herë të tretë djalin e një nënë tjetër, dhe pastaj rrinë në shtëpi, mendoj se këtu duhet të vendosim standarde

Saimir Tahiri: Po çfarë lidhje ka kjo? Jepi fjalën për procedurë.

Topalli: Ka lidhje që çke më të. Ka standarde në botë. Ministri gjerman i Mbrojtjes dha dorëheqjen për plagjaturë të doktoraturës. Nuk ju kërkon njeri këtë standard, por në qoftë se djali plagos dhe pastaj e ke në shtëpi, ke një problem të rëndë moral.

Erion Braçe: Jep dhe ti dorëheqjen se, ke shkuar në doktoraturë pa marrë më parë masterin.

Dade: Më jep fjalën. Me përmende familjen

Topalli: Fole moj zonjë, edhe jashtë radhe. Të tërheq vëmendjen në bazë të rregullores.

Topalli: Zonja Dade ke vërejtje, dhe po kalove edhe një minutë aty, zbatohet automatikisht rregullorja.

Dokle: Jepi fjalën për replikë.

Topalli: Të tërheq vëmendjen për herë të dytë dhe pastaj ju e dini, që është një rregullore e re. Zonja Dade ke vërejtje dhe po kaloi dhe një minutë zbatohet rregullorja. Nuk ka replikë mbi replikë. Mirë, jepi replikë zonjës.

Dade: Jam e lumtur që fëmijët i kam edukuar, që të respektojnë shtetin ligjor dhe jam shumë krenare që, me qetësi presin vendimet e organeve përkatëse. Është e rëndësishme që nuk ka dëme të mëdha, si ajo që bëtë ju me masakrën e 21 janarit, si ajo që keni bërë në Gërdec. Ju garantoj ju se do të luftoj deri në fund, përkrah gjithë viktimave që të bëhet drejtësia. E sa për familjarët, shikoni se vetëm gjyshet keni mbajtur në shtëpi, keni zaptuar diplomacinë, me krushq, me vëllain tënd e me dhëndër. Me sa duket, ti atij i ke mësuar diplomacinë parlamentare. Madje Këshilli i Europës ndaj po ua hap zyrën këtu, si rezultat i kontributit të dhëndrit tënd, ai të ka mësuar ty qemanen, se vetëm qemanes di t’i bjerë, dhe ti qemanen ua ke mësuar edhe kolegëve të tu.

Topalli: Nënë më e shkretë se ti në botë nuk mund të ketë. Hall më të madh nuk mund të ketë. Po turp më madh, që mos ndëshkohet ai që plagos, nuk ka për drejtësinë dhe ju keni të drejtë, kur thoni mosndëshkueshmëria. Imagjinoni sikur të ishte qëlluar fëmija juaj. Çfarë mendon një nënë që fëmija e tij mori plumbat, ndërsa ai që qëlloi është në shtëpi. Është dhe krenare! Ky është fundi! Krenare që djali gjuan me pushkë, fundi i moralit!

Dade: Lexo ndonjë gjë ndonjëherë për doktoraturë, se të duhet ndonjëherë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›