Kuvendi miraton 6 ligje, Topalli: Ishin 11
Pavarësisht kundërshtimit të opozitës, maxhoranca ka mundur të miratojë dje gjashtë ligje, megjithëse kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka deklaruar se gjatë seancës së djeshme ishin miratuar 11 nisma ligjore. “Dua t’ju falenderoj të nderuar deputetë, se sot kemi miratuar plot 11 ligje, si rrallë herë”, - tha Topalli, në fund të procesit të votimit. Por vet Kuvendi, në faqen e tij zyrtare në internet, tregon të kundërtën, pasi rendit vetëm gjashtë ligje të miratuara. Më konkretisht, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së NATO-s, për mirëmbajtjen dhe furnizimin (NAMSA), për demontimin e municioneve”, projektligj “Për ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Europës, për zyrën e Këshillit të Europës në Tiranë dhe statusin e saj ligjor”, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9126, datë 29.7.2003, “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse në Republikën e Shqipërisë”, projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9668, datë 18.12.2006 "Për emigrimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi”, projektligjin “Për plehrat e përdorimit bujqësor” dhe projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.