Dade: Zgjedhjet e lira janë në pikëpyetje
Partia Socialiste shprehu dje sërish shqetësimin e thellë për vonesat në ecurinë e procesit të pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit. "Dëshirojmë të sjellim në vëmendje të opinionit publik se në mënyrë të përsëritur kemi kërkuar nga qeveria që të bëjë të njohur planifikimin e detajuar të këtij procesi", u shpreh sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare, Arta Dade. Sipas saj, papërgjegjshmëria dhe paaftësia totale e qeverisë ka shkaktuar këto mangësi që vënë në pikëpyetje zgjedhjet e lira, të ndershme dhe demokratike. "Nuk do të donim të besonim që pas kësaj fshihet një skenar i mundshëm i manipulimit të zgjedhjeve", vlerësoi ajo. Dade i kërkoi qeverisë që të ndalë demagogjinë dhe të angazhohet seriozisht për të realizuar në kohë dhe në cilësi detyrimet e saj ligjore për mbarëvajtjen e këtij procesi. Teksa konstatoi se ka ditë që qeveria shpalli si të përfunduar pastrimin e regjistrit themeltar të shtetasve nga dublimet. Urojmë që kjo të jetë bërë me saktësi. "Meqenëse procesi ka filluar në 8 qytete dhe do të fillojë sot edhe në 3 të tjera a mund të na thonë se kur do të fillojnë në 54 qytetet e tjera dhe në 308 komunat e vendit?", tha Dade. Duke vlerësuar rëndësinë e këtij procesi, Partia Socialiste paralajmëron se do të informojë në mënyrë të vazhdueshme opinionin publik lidhur me ecurinë e këtij procesi duke u bazuar në të dhëna konkrete të përditësuara që sigurohen nga përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe strukturat në terren.