E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Kuçovë: Nuk do t‘i kundërvihemi mllefit me mllef

Gjatë turit të takimeve me vullnetarë në Qarkun e Beratit, Edi Rama, dhe deputetët e këtij qarku që e shoqërojnë zhvilluan takime në Poliçan e Kuçovë. Rama është ndalur tek industria e baltës që ka nisur të punojë në këtë prag fushate, e cila sipas liderit opozitar do të vijë në rritje. Ai u ka bërë apel nga Poliçani të gjithë atyre që e duan ndryshimin për të mos humbur arsyen përballë baltës e shpifjeve që do të gjenerojë lufta për pushtet e politikës së vjetër. "Politika e re nuk është një skenë ku një grusht burrash shahen e kacafyten dhe ku fiton ai që bërtet e shan më shumë, po një hapësirë ku njerëzit mund të zgjidhin së bashku problemet e bashkëjetesës së tyre në këtë vend, duke përmirësuar jetën e secilit", u shpreh Rama. Na takon neve, vijoi ai, së bashku, që me fuqinë e ndryshimit ta krijojmë këtë hapësirë, duke mbjellë në sa më shumë zemra farën e besimit se shpresat tona s‘janë të pamundura, se idealet e idetë e reja për Shqipërinë nuk janë as të humbura e as të parealizueshme, se një bashkim i ri qytetarësh për të mirën e të gjithëve e të secilit s‘është utopi, po mision qytetar i cilitdo. "Fushata elektorale po afron dhe të gjithë, si gjithnjë prej 18 vjetësh, kanë nisur të bëjnë premtime për të marrë votat që pastaj, me votat që marrin, të bëjnë si gjithnjë çdo gjë tjetër përveç mbajtjes së premtimeve", nënvizoi Rama. Por, insistoi ai, kjo e vërtetë e hidhur 18-vjeçare nuk është një arsye më pak, po një arsye më shumë, për të mos e lënë fushatën që po vjen në duart e politikanëve dhe për të mos i falur politikës së vjetër të premtimeve të pambajtura një tjetër shans që demokracia ua jep qytetarëve. "Përballë nesh është Sali Berisha dhe jo vetëm ai, po e gjithë politika e vjetër e industrisë së akuzave, shpifjeve, fyerjeve, djathtas e majtas, që në javët e muajt në vijim do të punojë në ethe të papara, si asnjëherë më parë, për të na përbaltur, shkurajuar, mjegulluar arsyen e rrëzuar moralin", u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›