PD tërhiqet për regjistrimin e zgjedhësve
Neni 14 i ligjit për gjendjen civile ka ndezur polemika në Komisionin e Ligjeve. Partia Socialiste ka paralajmëruar Partinë Demokratike që të saktësojë qendrën e votimit për ata persona që jetojnë në Tiranë, por që pasaportizimet i kanë nëpër rrethe. Kampi blu ka kundërshtuar këtë propozim, por socialistët kanë kërcënuar se në këtë mënyrë PD po hedh në erë marrëveshjen PD-PS për reformën zgjedhore. Studentët janë ata të cilët më 28 qershor nuk do të jenë në shtëpitë e tyre në rrethe, por do të qëndrojnë në Tiranë. Vendi ku ata do të votojnë ka vendosur në sherr demokratët dhe socialistët. Neni 14 i ligjit "Për Gjendjen Civile", u kritikua nga deputetët socialistë, se lë shkak për abuzime e manipulime politike. Socialistët thanë se në bazë të Kodit Civil, studentët, të burgosurit, ushtarakët e kanë vendbanimin e tyre në njësinë vendore nga të cilat vijnë dhe vendqëndrimin në njësinë vendore ku ndodhet institucioni përkatës. Kështu që kjo kategori nuk mund të regjistrohet në regjistrin themeltar të njësisë vendore ku janë me vendqëndrim.