Xhufi: Qeveria të tërhiqet nga konfrontimet mbi çdo gjë
Lëvizja Socialiste për Integrim i bëri thirrje dje qeverisë të heqë dorë nga kursi i rrezikshëm i konfrontimit për gjithçka dhe me këdo. Zëvendëskryetari i kësaj partie, Pëllumb Xhufi, tha se shumica duhet të kërkojë urgjentisht asistencë dhe ekspertizë ndërkombëtare, e cila i është ofruar, dhe me bollëk, për të rishikuar ligjin, në rast se ajo insiston vërtet të ketë një ligj të ri për lustracionin. LSI vëren me shqetësim qëndrimin kokëfortë e të papërgjegjshëm të mazhorancës së tërhequr për hunde nga dyshja Berisha-Topalli, lidhur me të ashtuquajturin ligj për pastërtinë e figurës së zyrtarëve. Si asnjëherë tjetër, vijoi ai, qeverisja e PD e ka kompromentuar pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë, teksa për çështjen e ligjit në fjalë, ka tërhequr mbi vete shigjetat e të gjithë partnerëve të ngushtë evropianë e euroatlantike të Shqipërisë. "Opozita shqiptare, shoqatat e ndryshme të gjyqtarëve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit e kanë denoncuar tashmë ligjin e fundit PD-ist si një ligj antikushtetues", theksoi Xhufi.