Dade kundërshton Pack: Qeveria të japë karta falas, deklarata e eurodeputetes jo zyrtare

Partia Socialiste ka reaguar menjëherë kundër deklaratës së europarlamentares Doris Pack, që qeveria Shqiptare të mos shpërndajë karta identiteti falas. Ky reagim ka ardhur nga Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, njëkohësisht edhe deputete në PS, Arta Dade. Ajo e ka cilësuar deklaratën e Doris Pack, si një nga qëndrimet jozyrtare të saj, për të cilat sipas Dades, janë mësuar jo vetëm politikanët, por gjithë Shqipëria. Sipas Dades, prononcimi i djeshëm i saj, shprehu një qëndrim personal, por jo qëndrimin e deklaratës ku thuhet shprehimisht lehtësira të tjera financiare duhet të propozohen për qytetarët që i përkasin kategorive të pa-avantazhuara dhe vulnerabël. Dade vlerësoi se sipas kësaj, do të thotë se shqetësimi i opozitës është kuptuar drejt.
Në këtë kuadër, deputetja socialiste, Dade ka ripërsëritur edhe një herë propozimin e Partisë Socialiste për pajisjen e shtetasve me kartat e identitetit falas, si të vetmen zgjidhje për të mos u hequr qindra mijëra votuesve me të ardhura të pakta financiare të drejtën e votës e për të shmangur dështimin e zgjedhjeve. Deputetja Dade deklaroi se propozimi i PS për aplikimin e kartave të identitetit falas për atë kategori në nevojë, nuk është një beteje kundër palës tjetër, por një betejë që duam ta bëjmë bashkë me palën tjetër për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Deklarata e europarlamentares, Doris Pack, kundër dëshirës dhe vullnetit të plotë të opozitës për shpërndarjen e kartave të identitetit falas për ato kategori që nuk kanë mundësi financiare, në mënyrë që të evitohen skemat korruptive nga ana e Qeverisë, duket se kështu ka mbështetur qëndrimin e kryeministrit Berisha ndaj kartave të identitetit falas. Në gjykimin e deputetes së Parlamentit Europian kartat e identitetit kanë një çmim të ulët, i cili është i përballueshëm në bindjen e saj. Në mbledhjen e kaluar të ditës së mërkurë të Qeverisë, kryeministri Berisha mohoi mundësinë e kartave falas. Nën këtë temë, Berisha kujtoi vitin 97 kur u aplikua për zgjedhje, votimi me karta që u shpërndanë falas, por që sipas kryeministrit me pas ato përfunduan në Lanë. Sipas kreut të ekzekutivit, këto janë përpjekjet për ti shndërruar këto në letra për votim si në 97, ku ky dokument u dha gratis, dhe nga shumica e tyre përfunduan në Lanë. Duke theksuar rëndësinë që kanë kartat e reja te identitetit, Berisha ka thënë se këto dokumenta barazojnë shqiptarët me qytetarët e Europës. Për këto arsye, kryeministri Berisha i ka kërkuar opozitës të pushojë fushatën nxirëse.
Last Updated on Saturday, 21 March 2009 13:08
Last Updated on Saturday, 21 March 2009 13:08