Shitja pa leje e biznesit turistik do të dënohet 100% të vlerës me gjobë
Projektligji i ri i qeverisë rrit penalitetet për veprimtaritë në turizëm. Ministria: “Do të ndalojmë skemën ‘ndërto dhe shit’ si në Golem”
Erald Kapri
Bizneset, të cilat veprojnë në zonat turistike për qëllim turizmi, do ta kenë të ndaluar që të shesin apo tjetërsojnë pasurinë pa lejen e Ministrisë së Turizmit. Qeveria ka hartuar një projektligj të ri, i cili ndalon shitjen e sipërmarrjeve turistike për qëllime të tjera. Sipas projektligjit të ri, në rast se tjetërsohet sipërmarrja turistike për qëllime të tjera, atëherë penaliteti do të jetë 100 për qind i vlerës së shitjes. Me pak fjalë, në rast se një biznesmen shet hotelin e tij për pallat, atëherë duhet t’i kthejë shtetit të gjitha paratë e fituara. Projektligji ka parashikuar gjoba dhe interesa të tjera në rast se vonon kthimin e parave për shtetin dhe në rast të shitjes së biznesit turistik pa leje. Ministria e Turizmit e ka argumentuar këtë projektligj si qëllim për të ndalur një “Golem” të dytë, ky ka funksionuar skema “ndërto dhe shit” për qëllime nga më banalet. Tashmë çdo ndërtim që do të bëhet në zonat turistike për sipërmarrje turistike duhet të qëndrojë gjithnjë si i tillë, ndryshe do të përballet me dhunën e ligjshme të shtetit. Pushteti lokal tashmë e ka të ndaluar të japë leje në zonat turistike në rast se nuk përcaktohet qartë destinacioni i veprimtarisë së objektit.
Projektligji
Ndryshimet në Ligjin “për turizmin” janë gati të prekshme. Ministria e Turizmit ka shpjeguar në relacionin e saj dërguar Këshillit të Ministrave se qëllimet janë pozitive. Sipas Ministrisë, janë ndryshuar përkufizimet në konceptin njësime akomoduese me qëllim saktësimin e tyre për të gjitha llojet, si hotelet, komplekset turistike, shtëpitë e pushimit, bujtinat etj. Projektligji ndryshon edhe disa procedura në licencimin e aktiviteteve turistike.
Penalitetet dhe gjobat
Ministria ka kërkuar ndryshimin e nenit 13 të ligjit ekzistues sepse Zyra e Shërbimit Turistik, duke qenë se është e organizuar në degë rajonale në nivel qarku, i është shtuar edhe një kompetencë tjetër, e cila konsiston në bashkëpunimin me strukturat përgjegjëse në procesin e licencimit dhe klasifikimit të subjekteve që ushtrojnë veprimtari në turizëm. Këtë ndryshim Ministria e ka argumentuar me informalitetin që ekziston në degën e turizmit. Luftimi i informalitetit ka bërë që të shtohet dispozita, e cila sanksionon ndalimin e shitjes së njësive të veçanta të njësive akomoduese të sipërmarrjeve turistike si fshat turistik, kompleks turistik etj., njëherazi edhe në rast të transferimit të titullit të pronësisë. Përfaqësuesi i këtij titulli detyrohet të ruajë destinacionin turistik duke plotësuar kërkesat njësoj si paraardhësi. Ndërkohë, penaliteti, në rast se shkelet kjo dispozitë, është parashikuar gjobë deri në masën 100 për qind të vlerës së investimit, në rast se ndodh shitja e njësive akomoduese. Konkretisht, Ministria e Turizmit ka argumentuar se shtimi i këtyre dispozitave bëhet për të parandaluar krijimin e një situate tjetër kaotike si në zonën e Golemit, e cila është zhvilluar me skemën “ndërto dhe shit”. Propozimi për ndryshimin e nenit 21 kërkohet të bëhet sepse vazhdojnë të miratohen leje në kundërshtim me kriteret e vendosura në aktet nënligjore përkatëse, për të shmangur ndërtimet pa kriter me skemën “ndërto dhe shit”.
Përcaktohen zonat turistike
Këshilli i Ministrave së shpejti do të miratojë edhe zonat turistike. Ndryshimi i nenit 20 të ligjit aktual argumentohet nga Ministria e Turizmit si i domosdoshëm sepse për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm nevojitet paraprakisht përcaktimi i zonave të zhvillimit të turizmit, ndryshim i cili në këtë projektligj propozohet të përcaktohet me një vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. Miratimi i zonave turistike detyron pushtetin lokal që në fushën e ndërtimit të mos japë leje për qëllime të tjera, përveç qëllimeve turistike, duke marrë edhe miratimin e pushtet qendror, ministrisë në këtë rast. Sipas Ministrisë, ky projektligj duhet të miratohet sepse nuk ka efekte financiare.
23 Shkurt 2008