Policët ngatërrohen si hajdutë, përballen me kolegët e tyre
Dy grupe punonjësish policie janë përballur mes tyre, pasi dyshohej se njëri prej tyre ishte grup hajdutësh. Megjithatë, kur uniformat blu, të njoftuar nga familja e shqetësuar, kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë kuptuar se "hajdutët" ishin kolegët e tyre që po kryenin detyrën për një tjetër çështje. Tre punonjësit e policisë kishin shkuar në banesën e qytetares D. Z, në rrugën "Ali Demi", pallati gri te KESH-i, kati i tretë në Tiranë për të kryer një kontroll, por janë marrë si hajdutë. Pasi kanë trokitur pa pushim, pjesëtarët e banesës, të frikësuar nuk kanë hapur derën, por edhe nuk kanë pyetur se kush ishte. Në qetësi të plotë kanë lajmëruar me telefon policinë. Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në adresën e dhënë me qëllim që të kapnin në flagrancë hajdutët, por janë përballur me tre kolegë të tyre. Burime nga policia thanë se tre policët kishin tentuar të ushtronin një kontroll në këtë banesë, por nuk kanë lajmëruar se ishin policë, gjë e cila nuk do kishte alarmuar kolegët e tyre. Ata kanë trokitur pa pushim në derë, por nuk u kanë bërë thirrje familjarëve të hapin derën se ishin punonjës policie. Punonjësit e policisë, të dyshuar si hajdutë kanë deklaruar se mendonin se në banesë nuk kishte njeri. Në përfundim dera është hapur nga të zotët e shtëpisë dhe është sqaruar e gjithë ngjarja. Në këto kushte, policia nuk ka regjistruar ndonjë procedim penal, por uniformat blu janë shpërndarë në shërbimin e tyre.