"Daja Vanja" i tri shteteve, sukses ne Tirane
Anisa Ymeri
Nje "Daja Vanja" qe foli shqipen e tri shteteve. Shqipe qe u percolli forcen e mendimit te Cehovit, per me se 2 ore ne skenen e Teatrit Kombetar, prej aktoreve te trekendeshit Tirane-Shkup-Prishtine. Premiera e mbremjes te se premtes u perkedhel jo pak nga reagimi i publikut pergjate gjithe shfaqjes, ndersa ne perfundim te saj, copeza dialogesh rrefenin per nje shfaqje qe padyshim percolli vlera. Ndricim Xhepa, Enver Petrovci, Bajrush Mjaku, Mysherefe Llozan, Eftiola Lacka, Adem Karaga dhe vajza koket, Blerta Syla. Regjisori maqedonas, Slobodan Unkovski, percolli nepermjet aktoreve shqiptare nje tjeter version. Aspak te ngjashem me ate qe ne skenen tone eshte shfaqur pak vite me pare, "Xhaxha Vanja". As mullar bari e as fije kashte nuk pati ne skene per te percjelle atmosferen e asaj ferme, per te cilen flet Cehovi ne dramen e tij. Slobodan Unkovski la spektatorin te gjende c'fshihej pas asaj dhomeze, ku u shperfaq dhembja njerezore. Aktore qe munden te shkembejne frymemarrjen e tyre me publikun kryeqytetas. Kontakt qe u vendos prej minutes se pare te shfaqjes e deri ne minuten e fundit fjalepake, ku kushdo priste finalen e madhe. Aty ku dhembja prek fundin e dukshem dhe fillimin e padukshem.
Problemi i madh i shoqerise gjendet ne dramen e individit te Cehovi. Keshtu ndodh edhe te "Daja Vanja" komedia tragjike e binomit dashuri-miqesi. Cehovi i ka shkruar vetem nje here dramat e tij. Ajo qe ben diferencen eshte leximi. E per aktoret pjesemarres ne kete shfaqje, Petrovci, Mjaku e Xhepa, para premieres se mbremjes te se premtes, u konsiderua si nje regjisor i niveleve boterore. Gjithcka e lexuar per dhe ne shekullin ne te cilin jetojme, duke u percjelle per shqiptaret nga nje regjisor maqedonas. Thelbi i Cehovit, toni bashkebisedues ishte aty ne skene, per spektatoret. Jane rrethanat e vecanta, aureole e personazheve te tij, forca e madhe e mendimit te Cehovit.
Cehovi ne krijimet e tij eshte perqendruar ne zbulimin e rrethanave te vecanta te jeteve njerezore me nje stil prozaik te mrekullueshem, i shquar per persiatjet tunduese te mendimit dhe te formulimit te sakte. Shpesh keto zbulime marrin shkas nga nje zbulim brenda personazhit qendror te vepres, ne te cilin ne nje kontradikte te vazhdueshme qendrojne aspiratat dhe gjendja aktuale e tij, imazhi i vetvetes dhe imazhi qe ai ka krijuar te te tjeret. Banaliteti, vogelsirat, vetmia dhe mungesa e dashurise shfaqen ne vazhdimesi si cilesi thelbesore te njeriut te zakonshem nen investigimin artistik te Cehovit. Ironia, keqardhja dhe turpi karakterizojne komentet e autorit per personazhet e tij. Tensioni dramatik te "Pulebardha" 1896, "Daja Vanja" 1899, "Tre Motra" 1901 dhe "Kopshti i qershive" 1904, jepet permes pasivitetit te personazheve te tij, deshirave te tyre te pa formuluara ose pyetjeve pa pergjigje qe ata ngrene ne jetet e tyre.
Ndricim Xhepa, aktor Tirane
Ndricim Xhepa, nje prej aktoreve me te zeshem te skenes shqiptare, nuk i ka munguar ketij projekti trishtetesh, por i gjithi ne shqip. Shfaqje e suksesshme dhe ne kesi rastesh merren edhe urime. Aktori Xhepa duket se e ka shijuar teper shfaqjen, ndaj edhe si perhere lirshmeria nuk i mungoi ne skene. Ai eshte shprehur se, "vlera e kesaj vepre nuk qendron vetem te bashkepunimi, por mbi te gjitha te zberthimi i natyrshem dhe njerezor qe regjisori i ka bere karaktereve dhe situatave. I gjithe spektakli krijohet nga komunikimi dhe perplasja aktoriale". E gjithe kjo fale edhe skenografise e kostumografise, e cila i shkonte shume per shtat veprimit te aktoreve.
Enver Petrovci, aktor-Prishtine
Nje prej aktoreve shqiptare te Kosoves, qe njihet te jete nder me te paguarit ne kohen e ish-Jugosllavise, eshte ngjitur ne skenen e Teatrit Kombetar me kete shfaqje. Ishte shfaqja "Idioti", me te cilen Enver Petrovci u njoh ne Shqiperine e viteve '90-te, ndersa tani shprehet: "U gezova shume per kete bashkepunim, per regjisorin dhe kete staf aktoresh dhe pranova te marr pjese pa mesuar me pare per rolin qe do te luaja dhe pagesen. Punohet shume mire me nje tekst, regjisor e aktore te mire".
Bajrush Mjaku, aktor/producent-Shkup
Jo vetem ne rolin kryesor, Daja Vanja, me te cilin edhe eshte pagezuar shfaqja, por edhe si producent, Bajrush Mjaku ishte nje prej atyre qe ka shijuar suksesin e kesaj shfaqjeje ne Tirane. Projekt i cili prej vitesh qe ne mendjen e tij, por u realizua vetem kete vit. "Ne kete kohe pa kohe, cdo gje qe na rrethon na ben te merzitur. Jetojme nje jete te merzitshme. Cohemi ne mengjes dhe nuk dime se si do ta mbushim diten. Kjo gjendje eshte e pranishme edhe ne shfaqje. Ky ishte qellimi im dhe i regjisorit".
Shqiperimi i "Daja Vanjes"
Shpesh kryevepra te dramaturgjise boterore calojne prej shqiperimit. "Daja Vanja" i Cehovit, ne kete premiere per Tiranen mundi te shkoje shume mire shqip te publiku. E kjo u ndie pergjate gjithe shfaqjes kur frazat dhe dialogu qe Cehovi e ka ngjizur ne gjuhen ruse, tingelluan bukur ne skenen e Teatrit Kombetar. Qe me shume se perkthim fjale per fjale, sic ndeshim shpesh, "Daja Vanja" ishte shqiperim. Por ky i kesaj shfaqjeje eshte nje perkthim i hershem i Jorgji Doksanit, i cili e ka kuruar kete veper ne cdo detaj, e qe e ka bete te flas shqip teper mire dhe te percjelle kumtin qe Cehov e ka shkruar me se nje shekull shkuar, ne vitin e hershem 1899. Dikur, rralle mund te degjoje ne nje skene te flitej me aksent te ndryshem te shqipes. Ndersa tani, aktoret e Kosoves, ata te Shkupit e Tiranes jane shkrire, dhe ajo qe eshte ne plan te pare eshte gjuha e tyre prej aktori dhe jo aksenti i shqipes se tyre.