E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daja bën “mjekun”: “Asnjë traumë te Dinamo”

“Puna e trajnerit është e lidhur direkt me rezultate. Çdo trajner që nuk arrin rezultatet e duhura, e ndien veten të rrezikuar si në largim, apo me shkarkimin e tij, apo marrjen e masave ndëshkimore nga ana e presidencës”. Ky ishte thelbi i logjikës së përdorur nga trajneri i dytë sezonal i Dinamos, Ilir Daja, gjatë prezantimit të tij të djeshëm për mediat. Daja e mori ekipin pas shkarkimit nga ana e presidentit Besni Sulaj të Agim Canajt, pas humbjes me Partizanin (1-0).
“Ekipin do ta drejtoj unë së bashku me stafin që ka qenë. E vendosëm këtë me presidentin derisa të gjejmë një trajner tjetër”, - theksoi ish-trajneri që shpalli kampion Elbasanin në sezonin 2005-2006. “Do të afrojmë te Dinamo një trajner që i plotëson objektivat e klubit dhe që sigurisht e njeh mirë situatën në klub”, - shtoi Daja, duke i bërë më të besueshëm zërat se trajneri i ri (i treti) do të ishte ndihmësi i Oto Bariçit, Slavko Kovaçiç. “Unë do të vazhdoj të jem edhe drejtor Teknik. Derisa të arrijmë të gjejmë një trajner të ri, mora përsipër të drejtoj ekipin. E njoh situatën në ekip dhe kam stafin e mëparshëm dhe kështu mora përsipër të drejtoj ekipin deri në një afat të pacaktuar", - theksoi Daja, i cili merr Dinamon në një situatë të paqartë për klubin blu, edhe pse Dinamo ndodhet në vend të parë pas 21 javëve të kampionatit. “Mund ta drejtoj ekipin deri në fund, por dhe jo”.
Trajneri Daja, premierën e parë në stolin e Dinamos do ta ketë fillimisht në ndeshjen e së mërkurës në Kupën e Shqipërisë kundër Apolonisë (Dinamo fitoi ndeshjen e parë 1-0). Tekniku pohoi se nuk do të ndryshojë shumë gjëra. “Secili trajner ka atë mentalitetit e tij taktik dhe teknik që do të jenë edhe pjesë e ndryshimit tim. Nuk do të ndryshojmë shumë gjëra, sepse jemi në periudhë gare, por që ndryshime do të ketë. Futbollistët do të vijnë drejt atij mentaliteti që unë do të fus në ekip”. Daja ka planin e tij: “Ndryshimi i parë ka të bëjë me gjendjen psikologjike të skuadrës. Ne vazhdojmë të jemi në vendin e parë dhe nuk kemi pse t’i dramatizojmë gjërat. Nuk duhen keqësuar gjërat. Edhe pse në ndeshjet e fundit nuk prodhuam, prapë se prapë jemi të parët dhe gjithë kohën kemi qenë në krye të klasifikimit. Ekipi vazhdimisht është paraqitur mjaft mirë”. Si një trajner me përvojë Daja nuk harroi ritin e falënderimeve. “Dua të falënderoj edhe teknikun paraardhës Canaj për punën që ka bërë së bashku me stafin. Canaj pjesë e stafit? Unë do të kërkoj bashkëpunim me të. Meqë kemi qenë të dy këtu do t’i kërkoj bashkëpunim dhe bisedim për punën deri në detaj që ka bërë. Do t’i kërkoj edhe ndonjë sugjerim, sepse është pjesë e Dinamos, sepse me të Dinamo ka fituar shumë herë dhe ai është një prodhim i familjes dinamovite”, - përfundoi trajneri Daja. Sfida e parë e teknikut të ri dinamovit në kampionat është ajo kundër Shkumbinit në kryeqytet.

Duhani fiton “lirinë” në Euro 2008

Tifozët që dëshirojnë të pinë një cigare në stadium gjatë ndeshjeve të Kampionatit të ardhshëm Europian, mund ta bëjnë atë pa asnjë shqetësim. Austria dhe Zvicra, dy vendet organizatore të turneut, nuk kanë ndër mend të ndalojnë tifozët të tymosin në tetë stadiumet ku do të luhen ndeshjet. Cigaret nuk do të shiten brenda impianteve. E ndaluar pirja e cigareve do të jetë për trajnerët dhe zyrtarët e tjerë që do të qëndrojnë në bankinë, kjo për shkak të rregullave të UEFA-s. Ndërkohë, kanë filluar edhe falsifikimet e biletave të finaleve. Në faqen e internetit “EBay” dolën në shitje dy bileta për ndeshjen e 29 korrikut 2008, të cilat, sipas tabloidit austriak “Oesterreich” ishin të falsifikuara dhe kishin një vlerë prej 2999 eurosh.

Shumi i katërti, Raikonen i shtati

Legjenda e Formula 1, Mikael Shumaker, i impenjuar në rolin e kolaudatorit të Ferrarit, arriti kohën e katërt më të mirë në testin e kryer dje në pistën katalanase të Montmelos. Sesioni u zhvillua në shi. Piloti i skuderisë Red Bull, gjermani Sebastian Vetel, arriti kohën më të mirë (1'24''807). Në vend të dytë doli braziliani Nelson Pike (Reno) dhe në të tretin spanjolli Fernando Alonso (Reno). Kampioni i botës në fuqi, Kimi Raikonen, doli i shtati, ndërsa anglezi Luis Hemilton me Meklaren-Mercedes u rendit i 11-ti (1'31''936).

Shkurt

GRUSHTE
Sulmoi me gushte pas shpine gjyqtarin, duke e bërë të humbasë ndjenjat. Lojtari italian i skuadrës amatore Murialdina (kategoria e tretë), Antonio Savastano, u pezullua 5 vjet nga futbolli.

DOPING
Çiklisti italian, Françesko Plotino, u pezullua përfundimisht 2 vjet për shkak se rezultoi si konsumues i substancave të ndaluara.
Përdorues dopingu doli edhe lojtari i regbisë, skocezi Skot MekLeod.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›