Interi akuzon: “Juve bën presion”
Çdokush reagon si të dojë, pro jam i bindur se gjithçka kontribuon në krijimin e një mjedisi nervoz dhe presioni mbi grupin e arbitrave”. Deklarata është bërë nga administratori i deleguar i Interit, Ernesto Paolilo, si kundërpërgjigje e letrës së protestës së Juventusit dërguar Federatës Italiane të Futbollit, FIGC, për gabimet e supozuara arbitrare. “Të solidarizohem me Juventusin? Të gjitha skuadrat tani ose më vonë mund ta pësojnë nga gabimet e arbitrave”, - u përgjigj Paolilo. “Vetëm një njeri mund të thotë mendimin e tij për arbitrat: Kolina. Ai ka qenë një gjyqtar i madh dhe vetëm ai e Gusoni mund të nxjerrin konkluzione”.
Supersfida, mungon Ibra
Supersfidës Inter-Roma (luhet të mërkurën) do t’i mungojë një emër i madh. Sulmuesi i Kombëtares suedeze, Zlatan Ibrahimoviç, nuk do të jetë në shërbim të trajnerit të Interit, Roberto Mançini. Ibra mungoi edhe në ndeshjen e fundit kundër Sampdorias (1-1) për shkak të një problemi me gjurin. Ish-sulmuesi i Ajaksit ka shënuar 14 gola gjatë këtij kampionati.
Derbi torinez pa Trezegenë
Juventusi në derbin kundër Torinos do të jetë pa Trezegenë. Sulmuesi bardhezi nuk është rikuperuar plotësisht dhe francezi nuk u thirr në ndeshjen e së shtunës së kaluar kundër Rexhinës. Trajnerit Klaudio Ranieri do t’i rikthehen Iakuinta, Bufon dhe Zebina. Jashtë derbit torinez do të mbetet edhe i skualifikuari Kristiano Zaneti. Gjyqtari i takimit do të jetë Ricoli.
Mutu, një muaj “pushim”
Adrian Mutu do t’i mungojë Fiorentinës të paktën për një muaj. Sulmuesi rumun u dëmtua në gjurin e majtë gjatë ndeshjes me Romën. Mutu do të mungojë midis takimeve të tjera edhe në ndeshjen e Kupës UEFA kundër Evertonit, më 6 dhe 12 mars, si dhe në ndeshjen e rëndësishme të Serisë A, më 12 mars. Ky është edhe një lajm i keq për trajnerin e Kombëtares rumune, Viktor Picurka.
26 Shkurt 2008