E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldo: “Nuk kam nevojë për mëshirë!”

Dash Frashëri

Ronaldo pranoi se është shumë pranë përfundimit të karrierës së tij futbollistike për shkak të problemeve me gjurin. Sulmuesi brazilian i Milanit ka vuajtur nga dëmtimet e gjata qysh kur mbërriti në “San Siro në vitin 2007. Dëmtimi i fundit i “Fenomenit” erdhi gjatë ndeshjes me Livornon dy javë më parë. “Unë duhet të përgatitem edhe për mundësinë e tërheqjes”, - tha 31-vjeçari Ronaldo për televizionin brazilian. “Unë e di që nuk do të jetë e lehtë. Dëmtimi mund të ndodhë sërish gjatë periudhës së rikuperimit dje kjo do të thotë se nuk do të luaj sërish. Për derisa do të jem në gjendje të luaj, nuk do të tërhiqem, por nëse gjuri do të më dhëmbë sërish, ndoshta do të jetë koha për t’i thënë lamtumirë futbollit. Unë dua të rikuperohem plotësisht. Ngas biçikletën me djalin tim dhe vrapoj pa dhimbje”. Ronaldo tha se nuk ishte momenti të fliste për një kthim të mundshëm të tij te Flamengo. “Nuk është momenti i duhur të flas rreth Flamengos apo Milanit, apo ndaj çdo klubi tjetër. Logjikisht, asnjë klub nuk do të dëshironte një lojtar 31-vjeçar, i cili ka kryer dy operacione, duke vuajtur dëmtime të tmerrshme në gjunjët e tij dhe është në dyshim të luajë sërish. Megjithatë, dua të them se unë nuk kam nevojë për mëshirën e kujtdo klubi. Unë dëshiroj thjesht të falënderoj Zotin për historinë time në futboll”. Përveçse se është golashënusi më i mirë në historinë e Kupës së Botës, Ronaldo ka shënuar afërsisht 300 gola gjatë karrierës së tij me disa nga klubet më të mëdha të Europës.

Adriano në “love story”

“Perandori” Adriano ka gjetur një tjetër mbretëreshë. Quhet Viviane Kastro. Shtypi rozë brazilian flet për një “love story” të sulmuesit dhe modeles, e cila u paraqit në karnavalet e fundit në Rio, e mbuluar vetëm nga një slip trekëndësh 4 centimetra. Viviane do të jetë kopertina e revistës së famshme “Playboy” në versionin brazilian për muajin e ardhshëm. Adriano dhe Viviane u njohën gjatë një programi televiziv me audiencë të madhe dhe aty lindi edhe shkëndija e dashurisë së tyre.

Real Madridi befasohet: “Luajtëm si fëmijë”

Lojtarët e Realit të Madridit e ndiejnë se kanë bërë një gabim të madh pas humbjes në shtëpi me Getafen (0-1), duke e komplikuar shumë situatën në Ligën spanjolle. “Ata na shënuan golin si të ishim në një ndeshje fëmijësh katërvjeçarë. Nuk mund të lejojmë të humbasim takime të këtij lloji”, - deklaroi Guti pas ndeshjes, duke iu referuar golit të Getafes. Belenguer e rifuti në lojë shumë shpejt topin, pak sekonda pasi gjyqtari anuloi një gol të Arjen Robenit të Realit për pozicion jashtë loje. Gjysma e ekipit madrilen ishte duke përgëzuar holandezin kur lojtarët e Getafes shënuan golin. Drejtori Sportiv, Pedrag Mijatoviç, pohoi se arbitri duhet ta kishte ndalur lojën, por kundërpërgjigjja e presidentit të Getafes, Angel Torres, i befasoi të gjithë: “Futbolli është një sport për njerëzit inteligjentë. Të thuash se Reali humbi për shkak të gjyqtarit është qesharake, pasi të gjithë në Spanjë e panë ndeshjen përmes televizionit”. Trajneri i Realit të Madridit, Bernd Shuster, nuk pranoi të komentonte deklaratën e Gutit. Reali i Madridit, që ka pësuar tre humbje në katër ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, tashmë ka vetëm dy pikë më shumë se Barcelona e vendit të dytë.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›