E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova dhe Shqipëria, ja 3 korridoret e bashkëpunimit ekonomik

Ervin Koçi

Shqipëria dhe Kosova pritet që të kenë një bashkëpunim akoma më të fuqishëm ekonomik, sidomos tani, pas pavarësisë së kësaj të fundit dhe krijimit të shtetit më të ri të Europës. Janë tre korridore dominante në zonën veriore të vendit, që pritet të fuqizojnë zhvillimin ekonomik dhe tregtar të Shqipërisë me Kosovën. Ato përbëhen nga ai tokësor Durrës-Kukës-Prishtinë, nga ai ajror nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit dhe Aeroportit lokal të Kukësit dhe nga ai detar me modernizimin e Porteve të Durrësit dhe të Shëngjinit (ky i fundit port i përcaktuar kryesisht për Kosovën). Këto të dhëna vijnë nga dy ministritë e linjës së të dyja vendeve, të cilat nuk ngurrojnë të bëjnë publike shifrat dhe strategjitë që do të sjellin zhvillimin ekonomik të të dyja shteteve shqiptare në rajon. Sipas Ahmet Ferizit, specialist në departamentin ekonomik në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës, “nga këto tre korridore, njëri prej tyre, ai ajror, tashmë ka përfunduar, ndërsa po merr formë autostrada Durrës-Kukës-Prishtinë, ku bën pjesë edhe tuneli më i gjatë dhe më i vështirë i ndërtuar në Ballkan, ai i Kalimashit. Aktualisht, në secilin tunel është kryer një volum pune prej më shumë se 2.6 km punime, nga 11 km që ata janë. Në këtë segment janë të punësuar 3 mijë punëtorë, ku 2 mijë prej tyre janë shqiptarë dhe puna bëhet me dy turne nga 12 orë. Ky projekt gjigant, së bashku me modernizimin e Portit të Shëngjinit, pritet të futen në efeciencë në vitin 2009”. Të tria këto korridore, shpjegon Ferizi, jo vetëm pritet të shtojnë lëvizjet e udhëtarëve, por kryesisht të shtojnë qarkullimin e mallrave dhe të fuqizojnë ekonomitë e brishta të të dyja vendeve.

Investimet në Portin e Shëngjinit

Porti i Shëngjinit, në pjesën veriperëndimore të Shqipërisë, pritet të zhvillohet duke u shërbyer zonave veriore dhe verilindore të vendit dhe zgjerimit të aktivitetit tregtar me Kosovën, bëjnë të ditur burime zyrtare nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të Shqipërisë. Ky port ka një gjatësi të kufizuar kalatash dhe përpunon anije mallrash me kapacitet deri 3000 tonë. Ka përpunuar rreth 100 mijë tonë mallra në vit dhe volumi i mallrave po tenton drejt 300 mijë tonëve në vit. Aktualisht në këtë port nuk përpunohen tragete pasagjerësh. Sipas burimeve të mësipërme, “zhvillimi i këtij porti po bëhet në bazë të një masterplani të financuar nga Banka Botërore dhe buxheti i shtetit. Si rrjedhojë, janë shtuar gjatësi kalate dhe po zgjerohet baseni për t'i dhënë një zhvillim të ri këtij porti”. Në fazën e parë të punimeve në Portin e Shëngjinit janë investuar 3,4 milionë dollarë dhe për fazën e dytë (2000-2010) janë parashikuar 7,8 milionë dollarë. Ndërsa për fazën e tretë (2010-2020) 11,2 milionë dollarë. Qeveria shqiptare ka parashikuar 30 milionë euro për vazhdimin e ndërtimeve të Skoljeres jugore të portit dhe 20 milionë lekë për thellimin e portit. Në objektivat e Drejtorisë së Politikave të Transportit Detar parashikohet edhe privatizimi i shërbimit të ngarkim-shkarkimit si dhe ngritja e Strukturave të Forcës së Sigurisë. Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë ka një rëndësi të madhe për Portin e Shëngjinit, pasi do të bënte të mundur shtrirjen e shërbimeve multimodale të këtij porti në drejtim të tregut të Kosovës. Specialistë të transportit detar shprehen se ky treg ofron një rritje të numrit të konsumatorëve dhe bizneseve dhe për më tepër hap perspektiva të reja edhe të shtrirjes së Korridorit 8 me pikë fundore Portin e Durrësit dhe me drejtim të Korridorit 10, duke u bashkuar me këtë Korridor në Nish (Serbi). Ndërtimi i kësaj rruge do të krijonte në këtë mënyrë realitete të reja, jo vetëm për rrjetin pan-europian të komunikimit, por gjithashtu dhe për Portin e Durrësit dhe për Portin verior të Shqipërisë, atë të Shëngjinit.

Zona e lirë ekonomike në Lezhë

Qeveria shqiptare ka vendosur shpalljen e zonës ekonomike me statusin “Park industrial” të parcelës me sipërfaqe 3.2 ha në zonën kadastrale nr. 14/29 në Shëngjin, Lezhë. Në këtë zonë ekonomike do të zhvillohen veprimtari si prodhuese, industriale dhe agropërpunimi; tregtare; eksport-importi dhe aktivitete ndihmëse, që pa dyshim do të shërbejnë edhe për sipërmarrës nga Kosova. Periudha e funksionimit të zonës është 35 vjet dhe sipërfaqja e tokës do të jepet me koncesion.

Mallrave që shkëmbehen mes dy vendeve

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT-i, struktura e eksporteve nga Shqipëria drejt Kosovës përfaqësohet kryesisht me prodhime vegjetale, miell, kafe, vezë, birrë, prodhime ushqimore të përgatitura, si ujëra minerale, lëngje frutash, sheqer, si dhe makineri e pajisje (kryesisht pjesë makinash të përpunimit automatik) etj. Gjithashtu eksportohen nga Shqipëria drejt Kosovës produkte minerale (bitum dhe benzinë) si dhe konfeksione.
Ndërkohë, struktura e importeve nga Kosova dominohet nga prodhime të sektorit të transportit (kryesisht autovetura dhe mjete të transportit të mallrave), metale bazë kryesisht alumin dhe gizë etj.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›