E Diel, 1 Nëntor 2026

Daja i Sajmir Binjakut: Faji policisë që mu vra nipi i dytë

Elbasan Vladimir Nikolla thotë se autorët e vrasjes së dy nipërve janë të njëjtët persona

Kanë thyer heshtjen familjarët e 36-vjeçarit Sajmir Binjaku, vrarë dhjetë ditë më parë në qytetin e Elbasanit. Ndërsa nuk ishin mbyllur plagët e vrasjes së djalit të parë, në familjen Binjaku ka ndodhur e dyta, gati në të njëjtën mënyrë siç u krye krimi më 2007-n në Itali. Prindërit, sidomos pas ngjarjes së dytë, kanë mbetur si të ngrirë nga pesha e dhimbjes, duke mos pasur mundësi të shprehin asgjë. Ndoshta kjo është arsyeja që ka kërkuar të flasë daja i Binjakut, Vladimir Nikolla. Ky i fundit është pronari i vetëm i hotel “Sandra”, ndërsa nipi i tij i vrarë kishte një tjetër biznes së bashku me vëllanë më të madh, pikërisht në autostradën Elbasan-Metalurgji. “Më duhet të sqaroj, pasi jam i dëmtuar jo pak nga disa prej mediave, të cilat kanë theksuar se Sajmir Binjaku ishte pronari i hotel ‘Sandra’, por veç të qenit nipi im, ai nuk kishte asgjë të përbashkët me biznesin tim”, ka pohuar Vladimir Nikolla. Ai thotë më tej se ngjarja nuk ka të bëjë fare me biznesin e tij, as të nipit. Sipas Vladimirit, autorët e vrasjes së Sajmirit janë të njëjtët që vranë nipin tjetër në Itali për një sherr banal dhe që shteti italian i dënoi në mungesë. “Por ata qëndrojnë e jetojnë të fshehur në Shqipëri, ka pohuar Nikolla, duke shtuar se, nëse policia do të kishte arrestuar vrasësit e nipit të parë, kurrsesi nuk do të kishte ndodhur vrasja e nipit tjetër në Elbasan”. Arsyetimi i Nikollës është se vrasja në fjalë është bërë nga frika e një hakmarrjeje të mundshme, gjë që familja Binjaku nuk e ka pasur dhe nuk e ka në mendje. “Policia i di emrat e vrasësve të nipit tim në Itali dhe nuk e ka vështirë t’i identifikojë, por një zvarritje e tillë mori dhe një jetë tjetër”, tha Vladimir Nikolla. Sidoqoftë, policia e Elbasanit për të përfituar tjetër efikasitet në pistën hetimore, dy ditë më parë publikoi edhe një shpërblim relativisht të lartë për personin që do të mund të japë informacionin rreth autorëve të vrasjes së Sajmir Binjakut.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›