E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhanga, hetohen disa avokatë dhe noterë

Dyshohet se kanë bashkëpunuar për të qarkulluar paratë e grupit kriminal të minoritares

Nga burgu, me anë të avokatit të saj, Evangjelia Zhanga u ka kërkuar dje falje të gjithë personave që ka mashtruar gjatë aktivitetit të saj 12-vjeçar. Deklarata është bërë nga avokati i së pandehurës 54-vjeçare nga Saranda, kur ajo është marrë në pyetje në një seancë të veçantë në Gjykatën e Patras në Greqi, dhe pritet zbardhja e dëshmisë së saj.

Avokati i Evangjelisë

Nga ana tjetër, avokati përgënjeshtron largimin e tij nga çështja, duke deklaruar se Cagaropulos e përdorte Evën dhe se ajo ka qenë viktimë. Sipas avokatit, policia veproi kundër ligjit, duke e mbajtur katër ditë pa avokat dhe shprehet se asgjë nuk është e vërtetë derisa të përfundojë hetimi. Vasili Tauksi foli ekskluzivisht për “Newsit.gr” dhe përgënjeshtroi lajmin, duke theksuar se akoma asgjë nuk e ndalon që të mbrojë klienten e tij. “Cilado qoftë ajo, të drejtat e njeriut janë të respektueshme dhe Greqia është një vend demokratik, ndaj dhe i respekton”, tha avokati. Më tej, ai u shpreh se kishte qenë pesë orë me Evën dhe kish folur për mbrojtjen e saj, duke theksuar se nesër është dita më e rëndësishme për 54-vjeçaren. “Nesër unë dhe bashkëshortja ime, që jemi avokatët mbrojtës të 54-vjeçares, do të jemi në prani në hetuesi, ku do të dëshmojë e akuzuara përpara hetueses”, shton Tauksis. Gjithashtu ai thotë se 54-vjeçarja bënte pjesë në një grup të madh me në krye 42-vjeçarin që u betonua në Dikofto të Patrës. “42-vjeçari, kreu i grupit, i kishte marrë viktimës së grupit një milion e gjysmë euro, 54-vjeçares i dha vetëm 800 euro. Kjo u mërzit nga shuma e paktë që i dha dhe i tha se nuk ishte e kënaqur. 42-vjeçari iu përgjigj: “Një prostitutë në Omonia merr 80 euro në natë, ti more 800”, pretendon avokati. Më tej, ai thotë se policia veproi jashtë ligjit që e mbajti katër ditë pa avokat në komisariat dhe çdo pyetje duhet të ishte bërë në prani të mbrojtjes.

Hetimet e reja

Policia greke ka zbuluar mashtrime të reja të kryera nga Zhanga, e shtyrë nga biznesmeni grek i vrarë një vit më parë, Tasos Tsagaropoulos, 42 vjeç. Siç bën të ditur media greke, është zbuluar se 54-vjeçarja ka bërë një mashtrim në Manastirin e Madh, në shuma të konsiderueshme parash. Të shumtë janë edhe personat që po vazhdojnë ta denoncojnë greken nga Saranda. Në zonën e Kalavritas dhe në Achia janë më shumë se 10 denoncime ndaj saj. Mësohet se të gjitha paratë e përfituara me anë të mashtrimit, gruaja dhe bashkëpunëtorët e saj i kanë investuar në pasuri të patundshme, si shtëpi, toka e prona të tjera. Pikërisht pas këtyre zbulimeve, policia greke ka nisur punën për identifikimin e tyre, që t’i vendosë nën sekuestro, me qëllim që me paratë e mbledhura të kompensojë disa prej të mashtruarve. është zgjeruar dhe rrjeti i bashkëpunëtorëve. Përveç biznesmenit grek dhe personave të tjerë, policia helene është duke hetuar dhe disa avokatë dhe noterë që dyshohet se kanë bashkëpunuar me rrjetin kriminal të mashtrimit. Avokatët dhe noterët mendohet se kanë dhënë ndihmë për rifutjen në treg të parave të marra me anë të mashtrimeve të shumta, që mendohet të jenë me qindra. Me anë të tyre janë blerë pronat e paluajtshme për anëtarët e rrjetit kriminal.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›