Kapet me 150 kg kafe kontrabandë tregtari
Një tregtar nga qyteti i Elbasanit është vënë në pranga për kontrabandë me mallra të akcizës. Forcat e Antikrimit Ekonomik të policisë së Korçës arrestuan shtetasin Gëzim Bedhia, i cili u kap kur me mjetin e tij do të kalonte 150 kilogramë kafe të padeklaruar nëpërmjet doganës së Tushemishtit në Pogradec. Sektori i Antikrimit Ekonomik në policinë e Korçës e ka kapur tregtarin nga Elbasani me sasinë e kafesë sapo ka hyrë në territorin doganor. Gjatë kontrollit, në mjetin e tij me targa TR1739A, policia gjeti sasinë e kafesë për të cilën nuk dispononte dokumente shoqëruese. Policia ka ushtruar kontroll edhe në banesën e shtetasit Gëzim Bedhia në qytetin e Elbasanit, ku gjithashtu janë kapur mallra kontrabandë, kafe dhe fruta të thata. Ky është rasti i dytë që në zonën e Pogradecit zbulohet kontrabandë kafeje brenda pak kohësh. Vetëm tre javë më parë policia zbuloi një sasi të madhe kafeje kontrabandë që futej nga Maqedonia me varka përmes liqenit.
#