Daja, jo euforik, Lika i matur

Dinamo fitoi 3-1 me Partizanin në ndeshjen e parë të cerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, por tekniku blu pohoi se kualifikimi në mes të katër më të mirave do të vendoset në ndeshjen e dytë.
"Kemi bërë vetëm gjysmën e punës", - tha tekniku blu. "Kupa është specifike dhe kualifikimi mbaron në ndeshjen dytë", - shton Daja, që synon të ulë euforinë e skuadrës së tij.
Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, megjithëse të mërkurën e ruajti tonin e qetë në fytyrën nervoze, ka brenda tij një notë optimizmi për të kaluar në gjysmëfinale.
"Mision i vështirë, por jo i pamundur", - thotë Lika, duke shtuar se skuadra e tij i kishte mundësinë të shënonte më shumë se një gol. "Rezultati është i hapur, pasi kemi edhe ndeshjen e kthimit". Trajneri dëshiron të tregohet i sinqertë. "Është e vështirë, por do të bëjmë maksimumin".
Ndeshja e kthimit do të luhet në "Qemal Stafa", më 12 mars, atje ku edhe lojtarët e kuq janë mësuar të fitojnë.