Daja, nipi më erdhi në shtëpi i armatosur
08/06/2005 TIRANË – Daja i Fatmir Çupit është shoqëuar për të dëshmuar në sallën e gjyqit, edhe pse nuk kishte shikim të qartë. Ka mbajtur natën e parë të krimit në shtëpinë e tij në Lezhë, nipin dhe dy kushërinjtë e tij. Deklaroi se nipi i tij, Fatmir Çupi, së bashku me Edmond dhe Besmir Çupin, natën e 9 qershorit 2004 kanë fjetur në shtëpinë e tij. Shkojnë të armatosur, por nuk i tregojnë dajës se kishin kryer një krim. Kështu, atë natë fjetën gjumë për t’u zhdukur të nesërmen në 10 qershor. Daja deklaroi se ka mësuar për vrasjen e policit Fran Lleshi dhe djalit të tij, Ervin Lleshi, vetëm pak ditë më vonë. Gjatë gjithë seancës tre të pandehurit nuk reaguan. Ata akuzohen për vrasjen e policit dhe të birit. Kanë pranuar akuzën, por pa fat. Nuk i është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar. Tre djemtë e rinj nga një fshat i Mirditës, ishin ulur njëri pas tjetrit në kafazin e hekurt. Edmond Çupi, Besmir Çupi dhe Fatmir Çupi janë tre të pandehurit, të cilët, pasi kryen vrasjen në bashkëpunim u dorëzuan në polici në datën 28 qershor. Ngjarja e rëndë që vuri në pranga kushërinjtë e rinj në moshë, ka ndodhur në Mirditë, më 9 qershor. Sipas prokurorit të Krimeve të Rënda, ekzekutori i Fran dhe Ervin Lleshit, ka qenë Edmond Çupi, i cili është vetëdorëzuar në komisariatin e Shkodrës. Prokurori theksoi se, Edmondi ka patur mosmarrëveshje më parë me Franin, i cili në postin e efektivit të policisë e kishte urdhëruar të pandehurin që të paraqitej në gjykatë, i thirrur për zgjidhjen e martesës së tij. Rezistenca që kishte bërë Çupi para Lleshit është pasuar me grindje mes dy palëve dhe në mesditën e 9 qershorit, së bashku me dy kushërinjtë, Edmondi i kishte bërë pritë makinës së policit. Nga ky akt mbetën të vrarë në vend polici me të birin si dhe janë plagosur mësuesi i fshatit Kçirë, P.Nikolli dhe punonjësi i postës, B.Lleshi.
Alma Çuka
Alma Çuka