Policët, nuk i njohëm vrasësit e Viron Rrapaj në komisariat
08/06/2005 TIRANË – Për herë të parë në sallën e gjyqit, Gazmend Brakës i vjen djali i vogël. Është vetëm dy vjeç dhe te dera e sallës së gjyqit thërret babain e tij. Mbahet në krahë nga nëna e vet, bashkëshortja e Gaxhait. U shoqërua nga Burreli për të qenë i pranishëm në sallën e gjyqit. Ka dëgjuar vetëm dy dëshmitarë, e më pas është larguar për në vendin e vuajtjes së dënimit. Gazmend Braka pati dje përballë në gjykatë dy punonjës policie. Që të dy Lavdosh Malaj dhe Qemal Alushi kanë patur dijeni pas vrasjes për autorët e ekzekutimit të kolegut të tyre, Viron Rrapaj. Por dje mohuan të kenë patur dijeni. Madje, polici Lavdosh Malaj tha dje, se në prill të vitit 1997, në portën kryesore të komisariatit kishte parë të futeshin në ambientet e tij një turmë të madhe njerëzish të armatosur. Bashkë me personat e armatosur dhe me maska, sipas policit, kanë qenë të përzier edhe disa policë. Kjo e ka bërë të vështirë zgjidhjen e situatës. Malaj deklaroi se nuk e ka parë personin që qëlloi mbi policin Viron Rrapaj, pasi ka qenë me maska dhe ekzekutimi i tij është bërë te porta. I pyetur nëse pas ngjarjes kishte mësuar për emrat e autorëve, polici mohoi gjithçka. Të njëjtat gjëra deklaroi edhe polici tjetër Qemal Alushi, i cili tha se vdekjen e Viron Rrapaj e ka mësuar në radio, duke mos patur dijeni për gjithë ngjarjen e ndodhur brenda në komisariat. Sipas Malaj, turma e djemve të armatosur ka hyrë në komisariat dhe ka kërkuar armë. Po kështu, ata kanë sharë drejtuesit e komisariatit, kryesisht Milto Kordhën, i cili së bashku me Haxhi Demirin ishin në krye të komisariatit.
Alma Çuka
Alma Çuka