E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dajat: “Ja si e pamë kokën e vëllait nëpër Lushnjë”

Autori i Lajmit: red.
Të afërm të një prej viktimave të Bandës së Lushnjës, të krimit më makabër të kryer në Lushnjë kanë rrëfyer dje para gjykatës se si i është shëtitur koka në qytet Artur Dajës. Edhe pse asnjë prej tyre nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit, dëshmitë rrëqethëse janë lexuar nga përfaqësuesi i organit të akuzës. Në deklarimet e dhëna në ambasada të ndryshme të vendeve ku jetojnë, dëshmitarët kanë zbardhur gjithë skenën e krimit që kanë përjetuar jo vetëm ata, por gjithë qytetarët e Lushnjës. Në deklarimet e tyre ata tregonin mbi ngjarjen e tmerrshme të ndodhur në lokalin e Artur Dajës, në gusht të vitit 1997, ku pas një grindjeje mbeti i vrarë vëllai i Aldo Bares.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar si dëshmi në procesin ndaj bandës së Lushnjës, rrëfimin e tre vëllezërve të Artur Dajës, personit të vrarë në 1998 në qytetin myzeqar, të cilit, sipas dëshmive, më pas iu pre koka dhe u shëtit nëpër qytet.
Dëshmia
Deklarimet e vëllezërve të Artur Dajës, të dhëna përpara oficerëve të policisë gjyqësore, dy vite me parë, kanë sjellë debate e radhës mes gjykatës dhe avokatëve mbrojtës. Burime nga gjykata bëjnë të ditur se vëllezërit e Artur Dajës, në deklarimet e tyre tregonin mbi konfliktet e vëllait të tyre me Alfred Shkurtin, të njohur si Aldo Bare. Në dëshminë e tij, Lorenc Daja, i pyetur më 29 qershor të vitit 2006, tregonte se vëllanë e tij e kishte vrarë Alfred Shkurti. Sipas të njëjtave burime, mësohet se gjatë deklarimit të dhënë para oficerit Zigur Xhixha, ai bënte me dije se me Alfred Shkurtin, siç njihet ndryshe Aldo Bare, kishte pasur njohje të vjetra që në fabrikën e tullave. Lorenci mësohet ta kishte prezantuar Baren me vëllanë e tij, Turin. Në dëshminë e dhënë para oficerit të policisë, dëshmitari bën me dije që ditën e sulmit të tyre nga ana e bandës, ka qenë në një lokal, ku me vete kishte edhe vajzën e tij, njëvjeçare. “Turi kishte me vete një automatik kallashnikov, ndërsa të tjerët që ishin në tavolinë nuk kishin. Atë ditë mbaj mend që në rrugën kryesore po vinte një automjet tip “Audi” ngadalë. Pasi u afrua edhe 10 metra, makina ndaloi, dhe qëlloi me breshëri drejt lokalit”, - ka deklaruar dëshmitari, dy vjet më parë, kur është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore. Sipas tij, pas sulmit, ai kishte marrë vajzën dhe ishte shtrirë në tokë, veprim i cili ishte bërë edhe nga të tjerët. Më pas Lorenci i ishte drejtuar të vëllait që “po na vrasin, o Turi po më vrasin gocën”, ndërsa ai i kishte thënë që të pushonte. Më pas mësohet se Tur Daja kishte nxjerrë automatikun dhe më pas kishte qëlluar drejt makinës. Dëshmitari në dëshminë e tij bënte me dije se kishte parë edhe Gramoz Selmanin, i cili ndodhej ne makinën tip “Audi”. Pas këtij sulmi, sipas dëshmisë së dhënë nga ana e Lorenc Dajës, vëllai i tij, Artur Daja, ishte plagosur, ndërsa në automjet kishin mbetur të vrarë dy persona. Vëllai tjetër i Artur Dajës, Stialiano Daja, kishte sqaruar oficerët e policisë gjyqësore se Alfred Shkurti ka dashur t i vriste të gjithë si familje. Në dëshminë e tij, dhënë dy vite më parë, ai ka bërë me dije se në muajin korrik të vitit 1997 ai kishte qenë në lokalin e një kushëririt të tij, kur nga një makinë ishte ulur Ramadan Shkurti, i cili kishte nxjerrë tytën e automatikut dhe kishte dashur ta qëllonte. Më pas dëshmitari ka bërë me dije se ishte larguar për në banesën e tij dhe ishte strehuar te fqinji i tij me emrin Fredi. “Fredi më ka pyetur pse isha i trembur dhe pasi ia kam shpjeguar, ka dalë në ballkon, kur Ramadan Shkurti ka qëlluar me breshëri”, - ka deklaruar dëshmitari. Në dëshminë e tij, ai ka bërë me dije se, pasi ishin futur brenda të shtënat kishin vazhduar, kur kishte dalë më pas jashtë kishte parë derën e mbrapme të makinës, në të cilën ishte Ramadan Shkurti, i cili ishte i vrarë. Ndërsa në fund të dëshmisë së tij, Daja bënte me dije se 20 minuta përpara se të vritej vëllai i tij, Turi, Enver Boriçi ishte larguar me makinë. I treti nga vëllezërit që ka dhënë shpjegime para gjykatës ka qenë Alfred Daja. Në dëshminë e tij ai ka bërë me dije se kishte qenë në Itali kur e ka marrë në telefon Alfred Shkurti, i cili kishte qenë së bashku me të vëllanë e tij. Dëshmitari bënte me dije se ai kishte dëgjuar një bisedë që kishte bërë vëllai i tij me Shkurtin për vrasjen e Besnik Tahirit. “Fredi i tha Turit se e kishte vrarë Besnik Tahirin për vete jo për interesat e tua”, ka mbyllur deklarimet e tij Daja. Avokatët mbrojtës i kanë kërkuar trupit gjykues, të kryesuar nga gjyqtarja Marsela Bilali, se deklarimet e dhëna nga ana e tre vëllezërve Daja nuk kanë lidhje me të pandehurit që janë duke u gjykuar në këtë proces. Por kjo gjë është hedhur poshtë nga prokurori i çështjes, Gentian Trevona, i cili ka bërë me dije se të pandehurit janë duke u gjykuar në cilësinë e grupit të strukturuar kriminal.
Ky lajm është publikuar: 15/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›