E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diabeti, 5-fishohen rastet e të sëmurëve

Autori i Lajmit: red.
“Shifrat e raportuara nga Shërbimi i Endokrinologjisë në QSUT tregojnë për një pesëfishim të rasteve me diabet që nga viti 1985. "Nëse në vitin 1985, diabeti kapte 0.8 për qind të popullatës në përgjithsi për të gjitha grup-moshat, tashmë ka arritur pothuajse në 4 për qind, që është një rritje pothuajse e pesëfishuar", - tha dje shefi i këtij shërbimi, Feçorr Agasi”

Rreth katër për qind e popullsisë së përgjthshme në vend, të të gjitha grup-moshave, është e prekur nga sëmundja e diabetit. Kjo shifër bëhet e ditur nga të dhënat më të fundit të Shërbimit të Endokrinologjisë të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, në Ditën Botërore të Diabetit. Shifrat e raportuara nga Shërbimi i Endokrinologjisë në QSUT tregojnë për një pesëfishim të rasteve me diabet që nga viti 1985. "Nëse në vitin 1985, diabeti kapte 0.8 për qind të popullatës në përgjithsi, për të gjitha grup-moshat, tashmë ka arritur pothuajse në 4 për qind, që është një rritje pothuajse e pesëfishuar",- tha dje shefi i këtij shërbimi, Feçorr Agasi. Një kategori të prekurish nga diabeti janë diabetikët "e fshehur", pra e kanë sëmundjen në fazat fillestare, ende të pashfaqur. Shqetësuese është rritja e shifrave të sëmundjes së diabetit tek fëmijët, e cila mendohet të jetë rreth 1 mijë. Një person me diabet, sipas mjekëve, rrezikon shumë gjëra, pasi kjo sëmundje zë vendin e parë për verbimet, për azoteminë, për abotimet (prerjet e këmbëve), për infarkte miokardi, për dëmtime në tru, etj. "Diabeti godet kudo çdo organizëm, çdo organ, çdo sistem dhe çon në invalidizëm, kjo do të thotë që njerëzit edhe vdesin para kohe, por më shumë invalidizohen", - nënvizojnë mjekët. Sipas tyre, diabeti tip 2 është një sëmundje e fshehtë, që fillon në mënyrë të heshtur. "Diabeti tip 2 mjekohet me insulinë dhe kap moshat mbi 40 vjeç, ndërsa tip 1 nuk është i fshehtë dhe fillon me shenjat klasike, pra personi urinon shumë, pi ujë shumë, bie në peshë dhe ka dobësi të madhe", - thonë mjekët, sipas të cilëve, grup-moshat që preken më shumë nga diabeti janë ato 40-65 vjeç për tipin 2 dhe grup-moshat 10-15 vjeç për tipin 1. Diabeti i padiagnostikuar shkakton dëmtime të parikuperueshme të enëve të gjakut, sidomos të enëve të gjakut në sy, duke çuar deri në verbëri të personit të prekur. Të tjera pasoja lidhen me dëmtimet e enëve të gjakut në pjesët e këmbëve, duke shkaktuar gangrenë të gjymtyrëve, si dhe dëmtim të enëve të gjakut në zemër e deri në tru, që çojnë deri në infarktet e zemrës. Mjekët këshillojnë që personat mbi moshën 40 vjeç, tek të cilët risku për të pasur diabet është më i lartë, të kryejnë një herë në tre vjet ose një herë në vit analizat e diabetit. Sipas tyre, diabeti, të paktën tek gjysma e të prekurve mund të parandalohet, nëse kurohet që në fazat më të hershme të tij. Arsyeja kryesore e shfaqjes së sëmundjes së diabetit, sipas mjekëve, është ndryshimi i mënyrës së jetesës, ku njërëzit ushqehen më mirë, lëvizin më pak, por kanë dhe strese psiko-emocionale negative. Obeziteti është një tjetër shkaktar kryesor i diabetit, duke bërë që personat mbipeshë të jenë më të riskuar prej tij. Të riskuar nga kjo sëmundje janë gjithashtu ata persona që e kanë të trashëguar diabetin, si dhe ata me hipertension, gratë që kanë lindur fëmijë me peshë mbi 4 kilogramë, personat me yndyrna të larta në gjak dhe ata që bëjnë infeksione të shpeshta të lëkurës. Në botë ka më shumë se 250 milionë të sëmurë me diabet dhe pritet që ky numër të shkojë në 300 e më shumë, dmth çdo 10 vjet numri pothuajse dyfishohet. Dita Botërore e Diabetit, 14 nëntor, është caktuar në nderim të ditëlindjes së Frederik Banting, i cili së bashku me Çarls Best, arritën të izolojnë nga pankreasi i qenve, insulinën. Iniciativa për kryerjen e veprimtarive të ndryshme me qëllim përmirësimin e formave të ndryshme të edukimit të diabetikëve dhe popullatës në përgjithësi, është marrë në 1991 në Kongresin Botëror të Diabetit në Uashington (SHBA) nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Federata Botërore e Diabetikëve (FBD). Këtë vit tema e përkujtimit të Ditës Botërore të Diabetit, me rekomandim të KBD-së, është fokusuar tek diabeti i fëmijëve dhe adoleshentëve.

Ç është diabeti
Diabeti është një sëmundje endokrino-metabolike, që ka të bëjë me mënyrën se si organizmi ynë e përpunon sheqerin (karbohidratet apo glukozën) që ne marrim me ushqimet e ndryshme. Kjo sëmundje shkakton pamundësinë e insulinës, një hormon i prodhuar nga pankreasi, për të mbajtur nivelin e sheqerit në gjak në vlerat normale. Në këtë rast insulina ose prodhohet pak (pamjaftueshmëri e pankreasit) ose nuk vepron si duhet për të futur sheqerin brenda në qelizat e indeve të organizmit (pamjaftueshmëri e insulinës). Për rrjedhojë, sheqeri është me tepricë në gjak dhe jep shenja të ndryshme si etja, shtimi i oreksit, shtimi në peshë, nevoja për urinim të shpeshtë, lodhja e shpejtë, ulja e vëmendjes dhe përqendrimit dhe në përgjithësi një dobësi e përgjithshme. Këto simptoma nuk është e thënë të jenë të gjitha të pranishme tek një pacient me diabet. Ato mund të jenë të veçuara dhe në shkallë të ndryshme të intensitetit të tyre. Është pikërisht ky intensitet që bën në shumicën e rasteve, që diagnoza të përcaktohet me vonesë ose ai të zbulohet rastësisht pas një kalimi të një krize në zemër apo infarktit të saj. Po kështu, shkalla e shprehjes së shenjave të sëmundjes, varet shumë nga mënyra e korrigjimit të sëmundjes, pra terapia me ilaçe, mënyra e të ushqyerit (dieta) dhe mënyra e jetesës.

“Një person me diabet, sipas mjekëve, rrezikon shumë gjëra, pasi kjo sëmundje zë vendin e parë për verbimet, për azoteminë, për abotimet (prerjet e këmbëve), për infarkte miokardi, për dëmtime në tru, etj. "Diabeti godet kudo çdo organizëm, çdo organ, çdo sistem dhe çon në invalidizëm, kjo do të thotë që njerëzit edhe vdesin para kohe, por më shumë invalidizohen", - nënvizojnë mjekët”.

“Mjekët këshillojnë që personat mbi moshën 40 vjeç, tek të cilët risku për të pasur diabet është më i lartë, të kryejnë një herë në tre vjet ose një herë në vit analizat e diabetit. Sipas tyre, diabeti, të paktën tek gjysma e të prekurve mund të parandalohet, nëse kurohet që në fazat më të hershme të saj”

Rastet, 4 për qind e popullsisë janë të prekur
Situata e diabetit në Shqipëri paraqitet alarmante nisur nga numri në rritje i pacientëve me këtë sëmundje, konstatohet në Ditën Botërore të Diabetit. "Nëse në vitin 1985, diabeti kapte 0.8 për qind të popullatës në përgjithësi për të gjitha grup-moshat, tashmë ka arritur pothuajse në 4 për qind, një rritje thuajse e pesëfishuar", - tha të premten shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, Feçorr Agasi, gjatë konferencës "Diabeti, sfidë për mjekësinë e mijëvjeçarit të tretë". Sipas tij, "arsyeja kryesore e kësaj rritjeje është ndryshimi i mënyrës së jetesës". "Njerëzit hanë më mirë, lëvizin më pak, por kanë dhe strese psiko-emocionale negative dhe të gjitha këto së bashku bëjnë që të rritet numri i të sëmurëve me diabet",- tha ai, duke shtuar se "të gjithë këta faktorë e nxisin diabetin". Por sëmundja e diabetit është në rritje dhe tek fëmijët në vendin tonë. "Janë rreth 1 mijë fëmijë me diabet në vend, ndërsa kanë qenë më pak në shekullin e kaluar",- saktësoi dr. Agasi, sipas të cilit, "në rritjen e diabetit tek fëmijët ka ndikuar dhe obeziteti ose dhjamëzimi". Shqetësues, sipas tij, nga ana mjekësore është fenomeni i shfaqjes së diabetit tip 2 dhe tek fëmijët. "Për këtë arsye, diabeti përbën një problem të shëndetit publik në shumë popullata, realitet nga i cili nuk bën përjashtim ajo shqiptare", - konsideron Ministria e Shëndetësisë. Drejtori i Shëndetit Publik në MSH, Gazmend Bejtja, tha se "janë një sërë programesh të shëndetit publik, të cilat mendohen të adresohen në parandalimin e shfaqjes së diabetit dhe më tej në parandalimin e komplikacioneve të kësaj sëmundjeje". Kjo, sipas tij, realizohet në sajë të një bashkëpunimi midis institucioneve shtetërore shëndetësore, në të gjitha nivelet, dhe organizmave të ndryshme të punonjësve të shëndetësisë apo të pacientëve. Bejtja vuri në dukje rëndësinë që ka në këtë drejtim edukimi i të sëmurëve me diabet, veçanërisht në drejtim të stresit, sidomos të të rinjve, që lidhet me stilin e jetesës dhe që çon dhe në shfaqjen e diabetit.

Infeksionet respiratore rrezikojnë fëmijët
Sëmundjet më problematike tek fëmijët shqiptarë janë infeksionet e rrugëve respiratore (të rrugëve të frymëmarrjes) dhe ato gastroendoktrinale, por edhe obeziteti. "Për sa u përket infeksioneve gastroendoktrinale, është vënë re një rënie gjatë 10- vjeçarit të fundit, që ka të bëjë me përmirësimin e kushteve të jetesës, ushqyerjes së fëmijëve", - tha drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, pediatrja Gjeorgjina Kuli, pas punimeve të Konferencës së 11 Pediatrike, e organizuar dje në mjediset e Hotel Tirana International. Sipas saj, "tashmë nuk ka asnjë rast kequshqyerje tek fëmijët, si shumë vite më parë, dhe kjo është arritje e shëndetësisë, e zhvillimit të shoqërisë, rritjes së ndërgjegjes së nënave, prindërve". Probleme, vijon ajo, ka por shërbimi shëndetësor matet me indekse si vdekshmëria foshnjore, mortaliteti në përgjithësi, sëmundshmëria, rritja e jetëgjatësisë së individëve, indekse të cilat janë përmirësuar dukshëm gjatë viteve të fundit. Ajo u ndal tek obeziteti tek fëmijët, tek të cilët ka rritje të rasteve edhe me diabet. "Kjo sigurisht ka të bëjë me përmirësimin e cilësisë, por dhe të diagnostikimit", - theksoi dr. Kule. Për sa i përket sëmundjeve të lindura, ajo u shpreh se ka studime të ndryshme, por nuk ka një rritje të incidencës së tyre". "Tashmë kemi sëmundje që i diagnostikojmë më herët, madje tani është bërë e mundur dhe diagnoza e paralindjes, sidomos për anemitë e lindura, sindromi daun, etj, si dhe të tjera sëmundje metabolike me origjinë gjenetike",- theksoi më tej dr. Kuli.
Ky lajm është publikuar: 15/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›