E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dajti e Policia, 17 plumba njëri-tjetrit

EKSPERTIMI

Përfundon ekspertimi i armëve të sekuestruara në vendin e ngjarjes së shtatë gushtit, ku efektivët e policisë dhe Dajti shkëmbyen zjarr


Prokuroria ka në duar edhe aktin e ekspertimit mjeko- ligjor, të kryer ndaj katër efektivëve të vrarë e Ledion Marës

TIRANË- Ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore të Policisë së Shtetit, dorëzuan në Prokurori, raportin e akt-ekspertimit të 34 gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes, ku vranë katër policët, Ledion Mara, dhe një kalimtar u plagos.


Përfundimi i raportit konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Ministrisë së Brendshme, të cilët shtojnë se akt-ekspertimi i detajuar i 34 gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes tashmë ndodhet në duart e dy prokurorëve të çështjes Ardian Nezha e Eugen Beçi.


Nga përfundimi i akt-ekspertimit krahasues të gëzhojave të gjetura me armët e përdoruara gjatë shkëmbimit të zjarrit mes agjentëve të policisë dhe të dënuarit me 25 vite burg Dajti, ka rezultuar se janë qitur në total 34 plumba.


Prej tyre, 33 gëzhoja model 9 mm, rezultojnë të dala nga pistoletat e agjentëve "Bereta" italiane, armët automatike të tipit "Tomson" po të efektivëve të policisë dhe nga grykat e pistoletës së tipit "Glock" e "Revolver", të përdorura nga Dritan Dajti.


Ndërkaq një gëzhojë rezulton të ketë dalë nga gryka e automatikut "Kallashnikov" e përdorur nga njëri prej efektivëve të policisë në vendngjarje, që ka kryer vetëm një qitje për shkak se u bllokua.


"Nga akt-ekspertimi krahasues i gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes me armët e përdorura, ka rezultuar se 17 fishekë model 9 mm kanë dalë nga grykat e pistoletave të përdorua nga Dritan Dajti, prej të cilëve 13 fishekë nga pistoleta e tipit "Glock" dhe 4 fishekë nga pistoleta e tipit "Revolver", të sekuestruara pas arrestimit të të shumë kërkuarit.


Nga këta 17 plumba janë vrarë katër agjentët e policisë, shoqëruesi i Dajtit shtetasi Ledion Mara dhe është plagosur një kalimtar i rastit me inicialet F.S.


Nga armët e përdoruara nga efektivët e policisë, nëntë pistoleta të tipit "Bereta" italiane, dy automatikë "Tomson" dhe një armë automatike e tipit "Kallashnikov" janë qitur gjithsej 17 fishekë, 16 prej tyre model 9 mm dhe vetëm një model 7.62 mm e armës "Kallashnikov".


Nga 17 plumbat e shkrepura nga efektivët e policisë vetëm 3 prej tyre kanë qëlluar të shumë kërkuarin Dritan Dajti",- thanë burimet.


Gjithashtu, burimet zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore konfirmuan se nga pesë të vrarët e pasdites së 7 gushtit në plazhin e Durrësit, vetëm në dy trupat agjentëve të policisë i është gjetur predha e plumbit, ndërsa të tjerët kanë marrë plagë tejshpuese.


"Nga këqyrja e dhe ekzaminimi patologjik i trupave të vrarë, katër efektivëve të policisë: Festim Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari e Kastriot Feskaj, dhe shtetasit Ledion Mara, ka rezultuar se vetëm në dy trupat e agjentëve janë gjetur nga një plumb në trup, plagët tjera janë tejshpuese. Nga ekzaminimi i kryer në trupin e Festim Xhanit janë konstatuar dy plagë, njëra tejshpuese dhe tjetra jo, ku predha e plumbit ndodhej në trup.


Ndërsa në trupin e Sajmir Duçkollari janë konstatuar tre plagë, dy prej tyre tejshpuese dhe në tjetrën është gjetur predha në trup"- thuhet në akt-ekspertimet e Mjekësisë Ligjore. Sipas tyre, në trupat e, Dizdarit e Feskajt plumbat kanë qenë tejshpues, për shkak të afërsisë së goditjes së dhënë nga i arrestuari Dritan Dajti.

*************************************************************

PROKURORIA
ndërhyrjen mjekësore për të pandehurit e vendosin mjekët


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, për të disatën herë i përgjigjet me shkrim kërkesave të familjarëve të Dritan Dajtit, të cilët kërkojnë nga institucioni i akuzës të krijojë kushte dhe të lejojë kryerjen e ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e dy plumbave në trupin e Dajtit. Sipas organit të akuzës, nuk është kompetencë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të vendosur të operohet apo jo Dritan Dajti.


Sipas tyre, atë e vendosin mjekët e Spitalit të Burgut dhe drejtuesit e këtij institucioni. "Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk vendos për të lejuar ndërhyrje kirurgjikale për Dritan Dajtin. Atë e vendosin mjekët specialistë të cilët e kontrollojnë dhe e ndjekin gjendjen e tij shëndetësore.


Për aspektin e sigurisë vendosin vetë zyrtarët e policisë së Spitalit të Burgut, të cilët krijojnë kushtet e sigurisë fizike për të dhe ruajtjen për mos arratisje",- thanë burimet zyrtare nga akuza.


Ky reagim i institucionit të akuzës, erdhi pas disa kërkesave të depozituara nga bashkëshortja dhe familjarët e afërt të Dritan Dajtit, të cilët kërkojnë lejimin e njeriut të tyre të operohet.


Zyrtarët e lartë të Spitalit të Burgut në lidhje me kërkesat e familjarëve të të afërmve, janë shprehur: Ndërhyrja do të kryhet në momentin që gjendja e tij shëndetësore do të përmirësohet, pasi ai ka ende plagët e operimit të parë të kryer në Spitalin e Durrësit dhe plagën e krahut ku është qëlluar nga efektivët e policisë, gjatë operacionit për arrestimin e tij.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›