E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Humbja e PS-së ishte gol në pozicion jashtë loje

Ish-Kryeministri, Pandeli Majko, shprehet se gara për kreun e partisë do të jetë e hapur dhe ndershme


Ish-Kryeministri, Pandeli Majko, gjykon se kryetari i Partisë Socialiste nuk duhet të kryqëzohet si përgjegjësi i vetëm për rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Kjo për vetë faktin se, sipas tij, zgjedhjet u zhvilluan jashtë standardeve të kërkuara dhe për rrjedhojë, për rezultatin e dalë prej tyre nuk mund të mbajë përgjegjësi kreu i partisë.


Duke folur gjatë një interviste për "BBC"-në, Majko shprehet se humbja e PS-së në këto zgjedhje është një gol i pësuar në mënyrë të parregullt dhe i vlerësuar si i saktë nga gjyqtari i ndeshjes.


"Nga pikëpamja matematikore të rezultantes që ka ndodhur, në Parlamentin e ardhshëm PS është në opozitë, por kjo duhet parë më gjerë dhe lidhur me këtë ka qenë një pjesë e debatit të zhvilluar dje në kryesinë e PS-së dhe mendoj që do të vazhdojë.


Ne, pak a shumë i ngjajmë skuadrës që na është bërë një gol në pozicion jashtë loje dhe nuk mendoj se për këtë duhet t'i drejtohemi të gjithë trajnerit. Duhet të jemi të vetëdijshëm që goli ka qenë pozicion jashtë loje, jo të gjithë duhet t'i ulërasim trajnerit", - shprehet Majko gjatë kësaj interviste.


E në këtë logjikë, ai i konsideron të pavend pretendimet e disa individëve brenda PS-së, të cilët e konsiderojnë antistatutor rikandidimin e Ramës për postin e kryetarit të partisë në zgjedhjet sipas parimit "një anëtar një votë", që pritet të mbahen gjatë muajit shtator. "Nëse dikush mendon që ish-kryetari i PS-së nuk duhet të rikandidojë për këtë apo atë post, mendoj që kjo i kalon limitet e një fushate normale brenda një partie.


Secili ka të drejtën e vet të shkojë tek anëtarësia, të shpjegojë arsyet e veta pse kandidon, të shpjegojë arsyet edhe pse dikush nuk duhet të rizgjidhet në një pozicion të caktuar, por nuk mundet që nëpërmjet rregullave të imponuara t'i thotë dikujt për një arsye të caktuar që t'i nuk duhet të rikandidosh", - thekson më tej Majko.


Si anëtar i kryesisë së partisë, Majko merr në mbrojtje vendimet e fundit të këtij forumi drejtues, duke deklaruar se kongresi, ashtu si edhe është vendosur tashmë në traditë, do të jetë pjesërisht i hapur dhe pjesërisht i mbyllur, pra i hapur për çështjet dhe qëndrimet politike dhe i mbyllur për ato çështje të karakterit organizativ.


Ndersa lidhur me ndryshimet statutore, Majko vlerëson se në fokusin e kongresit duhet të jenë zgjedhjet dhe jo ndryshimet statutore që kërkohen me ngulm të bëhen. "Unë kam qenë me pozicionin e asaj që u vendos në Asamblenë Kombëtare, që për momentin aktual, ajo që na kërkohet të gjithëve është vendimmarrja politike lidhur në raportet me zgjedhjet.


Pastaj elementë të tjerë, të cilët kanë të bëjnë me ndryshimet statutore, këto mund të jenë pjesë dhe e diskutimeve apo dhe asaj që do të zhvillohet si fushatë elektorale për kandidatët për kryetar në PS. Pra, secili kandidat mund të shfaqë dhe opinionet e veta lidhur me ndryshimet statutore në vazhdim", - shprehet ish-Kryeministri


Ceka i vë "kyçin" partisë, gati bashkimi me PD-në

Pas reformatorëve, edhe aleancistët pritet t'u bashkëngjiten demokratëve. Kreu i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, ka paralajmëruar dje "mbylljen" e kësaj force dhe bashkimin e saj me Partinë Demokratike.


Në një dalje për mediat, Ceka i është dorëzuar verdiktit që shprehën shqiptarët më 28 qershor, të cilët e nxorën atë përfundimisht jashtë Parlamentit, dhe ka nisur tashmë përgatitjet për t'i vënë "kyçin" partisë.


Gjatë fjalës së tij, ai ka bërë të qartë se pas këtij rezultati dhe me sistemin zgjedhor në fuqi, ekzistenca e PAD-së është bërë thuajse e pamundur, ndaj dhe ka vendosur që të nisë procedurat për bashkimin përfundimtar me partinë, nga ku dhe u nda vite më parë.


"Ky ka qenë një opsion edhe para zgjedhjeve, por duke parë se sistemi favorizon partitë që futen në front, pra sa më shumë parti të merrnin pjesë në fushatë elektorale, aq më shumë shanse kishte koalicioni që të fitonte, Aleanca Demokratike qëndroi më vete", - tha Ceka. Megjithatë, procesi që ka nisur nuk pritet të përfundojë para zgjedhjeve lokale të vitit 2011.


Sipas Cekës, PAD-ja do të ruajë identitetin e saj deri në zgjedhjet lokale dhe më pas do të shkrijë strukturat e saj me PD-në, për të qenë një pjesë e pandarë e saj. "Ajo ruajti pavarësinë e saj. Besoj se kjo do të ketë vlerë edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ne nuk mendojmë që procesi i shkrirjes, integrimit, do kryhet para këtyre zgjedhjeve.


Pas atyre zgjedhjeve, në qoftë se do qëndrojë po ky kod që kemi, atëherë natyrisht që zgjidhja më e mirë për Aleancën Demokratike është integrimi në PD", - tha Ceka. Partia Aleanca Demokratike, gjatë ekzistencës së saj është karakterizuar nga një luftë e brendshme, çka ka detyruar shumë figura të saj të largohen, duke lënë në fund fare vetëm presidentin e saj, Neritan Ceka.


Për shumë vite, ajo, pavarësisht se në themel ka një program të djathtë, u rendit majtas, duke qenë pjesë e qeverisjes socialiste. Vetëm një vit më parë ajo vendosi të kaloj sërish në kampin e djathtë, pasi PD-ja i dha kreut të saj postin e nënkryetarit të Kuvendit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›