Plagoset me armë pronari i lokalit "Mojito": Klienti më kërkoi borxh
TIRANE - Plagoset me një plumb pistolete në krah pronari i lokalit "Mojito", në afërsi të Liqenit Artificial në kryeqytet. Biznesmeni mbeti i plagosur mbrëmë, pasi u qëllua me armë nga një prej klientëve të lokalit të tij me të cilin kishte një mosmarrëveshje të mëparshme. Arma është shkrepur nga një prej klientëve të lokalit, i cili është identifikuar dhe është shpallur në kërkim nga policia. Sipas burimeve zyrtare të policisë, autor i plagosjes dyshohet të jetë Elton Fusha. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në kryeqytet dhe fillimisht është lajmëruar Komisariati nr.2 e më pas Seksioni i Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit. I plagosuri Edmond Pjetërnika është dërguar në Spitalin Ushtarak dhe pas ndërhyrjes aty ka dhënë shpjegime për policinë. Mësohet se Pjetërnika ka marrë një plagë të lehtë në njërin krah, por plumbi vetëm sa e ka gërvishtur, duke mos shkaktuar dëmtime serioze. Sipas deklarimeve të biznesmenit për oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, mësohet se shkak për ngjarjen ka qenë një konflikt mes autorit dhe të dëmtuarit, që ka ndodhur 4 ditë më parë. Pjetërnika ka deklaruar për policinë, se personin që e ka qëlluar e njihte thjeshtë si fytyrë, si klient që i shkonte vazhdimisht në lokal, por nuk kishte asnjë të dhënë tjetër për të. I pyetur për rrethanat e ngjarjes dhe për motivin që mund ta ketë shtyrë autorin deri në tentativë vrasjeje, i plagosuri ka pohuar se kishin pasur një debat që kurrsesi nuk e mendonte se mund të përfundonte në këtë mënyrë. Ai ka treguar se Elton Fusha, i kishte kërkuar para ditën kur mes tyre ndodhi debati. Biznesmeni ka thënë se nuk kishte pranuar t'i jepte para personit në fjalë. Siç duket kjo nuk është pritur mirë nga i dyshuari Elton Fusha, i cili mbrëmjen e djeshme është futur në lokal me qëllim për ta vrarë Pjetërnikën dhe pa menduar gjatë e ka shkrepur pistoletën në drejtim të tij. Më pas autori është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Plumbi e ka kapur biznesmenin tërthorazi në njërin krah, pa prekur asnjë nga organet jetësore. Policia është vënë në ndjekje të autorit, tashmë të identifikuar, por ende nuk është realizuar arrestimi i tij.