Antikontrabanda, bllokohen mallra në Sarandë dhe Elbasan
Dy aksione të Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur bllokimin e disa mallrave kontrabandë dhe prangosjen e dy personave. Kështu, në Sarandë është sekuestruar një sasi e konsiderueshme bizhuterish, pajisjesh elektronike dhe një shumë e madhe në valutë, ndërsa në Elbasan një sasi e konsiderueshme cigaresh.
SarandëNjë operacion policor i kryer në vendin e quajtur Përroi i Manetës në Konispol ka përfunduar me arrestimin e Sulejman Sulajt, 19 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Durrës. I riu ishte duke transportuar disa çanta për në brendësi të tokës shqiptare, brenda të cilave kishte mallra të shtrenjtë që momentalisht janë konsideruar mallra kontrabandë, por sipas burimeve policore mund të jenë edhe të vjedhura në Greqi.
Gjatë kontrollit të policisë është zbuluar se 19-vjeçari transportonte me çanta sportive telefona celularë, aparate fotografikë, kompjuterë tryeze dhe laptopë. Pjesa më e madhe e bagazheve kontrabandë ishin bizhuteri të shtrenjta, si dhe kartëmonedha të disa shteteve: 1400 euro, 600 paund britanikë, 2000 korona suedeze etj.
I arrestuari është dërguar në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë, ndërkohë që mallrat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Nga hetimet fillestare, ka rezultuar se Sulejman Sulaj ka kaluar në mënyrë klandestine kufirin nga piramida 70/2, që ndan kufirin shqiptaro-grek.
ElbasanNë Elbasan janë bllokuar dje dymijë paketa cigaresh kontrabandë dhe është arrestuar një tregtar që i transportonte. Burime zyrtare të policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se rreth orës 14:30 të ditës së djeshme është ndërmarrë një aksion i befasishëm në lagjen “Aqif Pasha”, në dyqanin e 55-vjeçarit F.Myftari. Operacioni është organizuar nga ana e sektorit kundër krimit ekonomiko-financiar dhe është bërë e mundur kapja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të dymijë paketave cigaresh kontrabandë të markës “Trokadero”, “Marlboro”, “Karelia”, “Slims” etj. Nga hetimet paraprake është mësuar se cigaret kishin hyrë kontrabandë nga Greqia dhe kishin për destinacion tregun e qytetit të Elbasanit. Ndaj tregtarit u mor masa e arrestit për veprën penale të “kontrabandës”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme.
#