E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dajti transferohet në burgun 302, mjekët: U shërua

TIRANE- Përmirësohet gjendja shëndetësore e të dënuarit me burgim të përjetshëm, Dritan Dajti. Mjekët e spitalit të burgut kanë konfirmuar shërimin e tij, duke firmosur kalimin për në burgun e Sigurisë së Lartë numër 302 në Tiranë. Lajmi konfirmohet nga burime të besueshme të Gazetës. Dajti ishte në kurim prej 7 gushtit, kur mbeti i plagosur nga tre plumba gjatë shkëmbimit të zjarrit me oficerët e skuadrës speciale të antikrimit të organizuar gjatë arrestimit të tij në zonën e pistës së vjetër "Iliria", në plazhin e Durrësit. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mbetën të vrarë komandanti i skuadrës Fatos Xhani me tre policët e skuadrës, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feskaj. Ndërsa mbeti i vrarë në rrethana jo fort të qarta Ledion Mara, i cili kishte qenë në shoqërinë e Dajtit dhe për të cilin grupi i hetimit për ngjarjen pretendon se është qëlluar dhe vrarë nga arma e Dajtit. Erges Xhorxhi, i cili kishte qenë gjithashtu në shoqërinë e Dajtit dhe njëkohësisht i afërm i tij, u arrestua nga policia gjatë operacionit. Ky i fundit iu nënshtrua disa operacioneve radhazi derisa mjekët mundësuan heqjen e tre plumbave të mbetura në trup. Në fakt, Dajti e kushtëzoi dëshminë e tij për prokurorinë rreth ngjarjes me faktin e shërimit, duke këmbëngulur se nuk do fliste për hetuesit deri në momentin që do të kishte shërim të plotë. Dritan Dajti ishte arratisur në vitin 2003 nga gjykata e Tiranës, ku po rigjykohej pas rikthimit që i bëri çështjes së tij Gjykata e Lartë. Dajti u rigjykua nga kjo gjykatë dhe u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e ndërtuesit Agim Beqa në Tiranë, në shkurt të vitit 1999. Gjatë periudhës së arratisë, Dajti akuzohet të ketë vijuar përfshirjen në aktivitetet kriminale kryesisht për gjobëvënie, por dyshohet dhe për vrasje.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›