Dajti, zbulohen emrat e 5 oficerëve spiunë
Fatos Mahmutaj
Prokuroria për Krime të Rënda ka verifikuar tashmë pesë efektivët e policisë së Durrësit dhe kryeqytetit, numrat e të cilëve janë gjetur në celularin e Erges Xhoxhit, kunatit të Dritan Dajtit. Burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se punonjësit e policisë, të cilët posedojnë këta numra celularësh, të linjës së policisë, 06941***, nuk mbajnë grada të larta. Ata janë oficerë të roleve të ulëta në Policinë e Shtetit, ndërkohë aktualisht punojnë nëpër komisariatet e kryeqytetit dhe Durrësit. Hetuesit e çështjes sapo kanë mësuar faktin që në celularët e Xhoxhit ndodheshin numra të punonjësve të policisë, kanë kryer veprime procedurale duke i verifikuar fillimisht se cilëve persona u përkisnin dhe nëse ndodhej ndonjë bisedë apo mesazh i ruajtur prej tyre. Verifikimi i kryer nga prokuroria ndaj tyre është bërë në mënyrë zyrtare, në sajë të bashkëpunimit me policinë e shtetit, institucion të cilit i është kërkuar mosshkarkimi i policëve derisa të sqarohet pozicioni i tyre. Sipas organit të akuzës, veç tabulateve telefonike, të cilat janë provë e pakontestueshme, po kryhen hetime të tjera për të sqaruar dyshimin nëse këta policë kanë bashkëpunuar në vazhdimësi me Dajtin dhe personat që rrinin me të, apo kanë pasur vetëm kontakte të rralla dhe nuk i kanë dhënë atij informacione të vazhdueshme dhe sekrete. Të dhëna të plota ndaj aktivitetit të tyre në lidhje me çështjen “Dajti” dhe ndihmën e menduar që mund t’i ketë dhënë të superkërkuarit gjatë arratisë do e zbardhin tabulatet telefonike që janë kërkuar të tërhiqen nga të tria shoqëritë celulare shqiptare. Prokuroria pohon se është kërkuar që tabulatet duhet të tërhiqen për tetë muajt e fundit, duke filluar që nga dhjetori i vitit të kaluar e deri ditën e ngjarjes, 7 gusht 2009, kur u bllokuan celularët e të akuzuarve si autorë të masakrës së Durrësit. Tabulatet pritet që të zbardhin veç të tjerash edhe bisedat që kanë kryer punonjësit e policisë me Dajtin gjatë kohës së arratisë. Ndërkohë, pritet të sqarohet nëse këta punonjës policie kanë kontaktuar me Dajtin gjatë ditëve, kur ai u ka shpëtuar prangave policore. Kreu i Policisë së Shtetit, gjatë një prononcimi të dhënë pak ditë më parë për “Panorama”, pohoi se ishin të shumta rastet kur i shumëkërkuari Dritan Dajti ka arritur t’u shpëtojë prangave policore. Për këtë arsye është hedhur dyshimi se Dajti ka pasur informatorë në polici, të cilët e njoftonin para se të mbërrinin kolegët e tyre për ta arrestuar. Po kështu mendohet se të njëjtët persona e kanë ndihmuar Dajtin edhe gjatë kalimeve të kufirit, ku për gjashtë vite me radhë nuk është zbuluar asnjëherë, ndërsa qarkullonte me identitete të rreme. Ndërkohë gjatë këtyre ditëve, Dajti ka kthyer disa herë duarbosh përfaqësues të grupit hetimor, si prokurorë dhe hetues, të cilëve u ka refuzuar t’u japë deklarime. Ai ka pretenduar se gjendja e tij shëndetësore nuk lejon dhe se më parë ka kërkuar të konsultohet me avokatin e tij mbrojtës, para se të japë shpjegime.
Mjekët ekzaminojnë Dajtin
Ylber Vata, kreu i Spitalit të Burgjeve, pohoi dje se autori i masakrës së Durrësit, Dritan Dajti iu nënshtrua një ekzaminimi të përgjithshëm shëndetësore në Spitalin e Burgjeve, ku u lokalizuan dy plumbat që i kanë mbetur ende në trup. Sipas mjekut Vata, gjatë ditës së djeshme 38- vjeçari Dajti ka pasur disa konsulta mjekësore me mjekë neurologë, pasi ka pasur ankesa për mosfunksionim të gjymtyrëve për shkak të dëmtimeve nga plumbat. Pas përfundimit të vizitës mjekësore, grupi i ekspertëve ka dalë në konkluzionin se Dajti është i aftë fizikisht për
t’iu nënshtruar seancës së pyetjeve përballë prokurorëve të çështjes.
Telefonat e Dajtit pa axhendë
TIRANE – Asnjë prej 10 telefonave që ka përdorur Dritan Dajti nuk ka pasur axhendë për numra të regjistruar në to, apo thirrje hyrëse apo dalëse. Grupi hetimor i kësaj çështjeje e pohoi dje zyrtarisht këtë fakt, ndërsa shtoi se e vetmja mundësi për të zbuluar bisedat e Dajtit ishte një bllok numrash telefoni që i ishte gjetur atij në çantë. Në këtë bllok janë zbuluar mjaft numra personazhesh të njohur të politikës, biznesmenë, punonjës policie etj, me të cilët mendohet se Dajti ka komunikuar. Gjithçka në lidhje me këtë çështje pritet ta zbardhin tabulatet telefonike të kartave që i janë gjetur atij në çantë në momentin e arrestimit. Ndërkohë vetë i pandehuri, i cili po kurohet në gjendje arresti nën supermasa sigurie në spitalin e Burgjeve, nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me këtë bllok telefonik. Për më tepër grupi hetimor aktualisht po verifikon numrat që janë gjetur në bllok, nëse ai i ka regjistruar të mënyrë të rregullt apo me kod. Këto priten të sqarohen gjatë momenteve të mëvonshme të hetimit, ndërsa mendohet se në këtë bllok mes tjerash ndodhen edhe numrat e celularëve të biznesmenëve që kanë rënë pre e gjobave të vëna nga Dritan Dajti, gjatë gjashtë viteve të arratisë së tij. Burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se ndodhen duke pritur denoncime nga biznesmenët, të cilët kanë paguar gjoba në adresë të Dajtit. Nëse viktimat e gjobave nuk do denoncojnë, atëherë policia në bashkëpunim me prokurorinë do hetojë në mënyra të tjera për të zbardhur problemin e gjobave. f.m.
regimet
PS: Berisha liroi kriminelët nga burgu
Partia Socialiste akuzoi Kryeministrin Sali Berisha për lirim të kriminelëve nga burgu përpara zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. “Sot, kur plaga e hapur në trupin e shtetit, me vrasjen e 4 policëve në detyrë, vazhdon të jetë përvëluese, PS ringre me forcë çështjen e bashkëpunimit të këtij pushteti të korruptuar me krimin për të rimarrë me forcë më 28 qershor të drejtën për të sunduar, jo vetëm mbi vendin, por edhe mbi ligjin”, tha zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj. Në deklaratën për mediat, Imeraj theksoi se “jashtë çdo kriteri ligjor e përgjegjësie mendore, pushteti i Sali Berishës ka lëshuar me leje të paligjshme nga burgjet, për fushatë në favor të pushtetit, një numër të konsiderueshëm vrasësish, trafikantësh e grabitësish, të cilët kanë shoqëruar ministra dhe kanë ushtruar terror psikologjik në zonat e influencës së tyre mafioze”. PS theksoi se “disponojmë të dhëna alarmante për fluksin e lartë të lejeve të paligjshme për kriminelë të dorës së parë në javët e fushatës dhe kemi të gjithë vullnetin që të kërkojmë me forcë nxjerrjen para ligjit të lejedhënësve”.
PD: Rama, bastard i nomenklaturës hoxhiste
PD nëpërmjet zëdhënëses së saj, Egla Mëhilli, deklaroi se “aktin terrorist të Dritan Dajtit dhe rënien në krye të detyrës së 4 inspektorëve të policisë, Edi Rama me moralin e tij më të ulët, pa prishur pushimet e tij u përpoq çdo ditë ta shfrytëzojë për qëllime politike”. “Njeriu që ushqen shpirtin me humbjen e jetës së të tjerëve, që nuk ka asnjë kod moral e që nuk lë asnjë rast të vetëm pa dhunuar kodim më të lashtë e më të paprekshëm të këtij kombi, kodin e vdekjes. Ky bastard i nomenklaturës hoxhiste i lejoi vetes të shpallë të rënët në krye të detyrës si viktimat e korrupsionit dhe jo të rënë nga akti terrorist i Dritan Dajtit, dhe që nga dita e premte e deri më sot çdo ditë nxjerr në konferenca shtypi, duke shpifur dhe trilluar, monstruozitete që vetëm mëndja e tij mund të krijojë”, tha Mëhilli. Ajo theksoi se, “Ne i themi këtij humbësi të pashpresë se qëndrimi ynë ka qenë dhe do mbetet zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe ne, këtë platformë ia kemi rezervuar dhe Aldo Bareve, Nehat Kullave, Indrit Dokleve, Lul Betrishave Dritan Dajtëve dhe ndaj cilitdo kryebandit, pavarësisht nga lidhjet që ti ke”.
Sindikata: Të dorëhiqet Nishani
TIRANE - Sindikata e Policisë reagoi ashpër dje në një konferencë për shtyp ndaj vrasjes së 4 policëve, një javë më parë në Durrës, gjatë aksionit për kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Kreu i Sindikatës, Valentin Macaj, kërkoi dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, pasi sipas tij aksioni që çoi në vrasjen e 4 policëve është dekonspiruar. “Kemi pritur që ministri Nishani në shenjë respekti për të rënët dhe familjarët e tyre të japë dorëheqje për paaftësi menaxhuese të politikave të rendit dhe sigurisë publike. Sindikata jonë dyshon se pjesëtarë të Policisë së Shtetit janë të përfshirë në grupe kriminale dhe pasuritë e tyre nuk justifikojnë burimin e të ardhurave nga profesioni”, tha Macaj, duke shtuar se ekziston edhe rreziku i blerjes së bluve nga klanet kriminale, ndërsa propozoi ngritjen e një Task Force për të kontrolluar pasuritë e policëve. Sindikata ngriti si shqetësim edhe vetëvrasjet e policëve të burgjeve, që sipas tyre shkaktohet nga stresi në punë. f.m.
Prokuroria u kthen sendet personale dhe veshjet familjarëve të policëve të vrarë
TIRANE – Familjarët e katër efektivëve të Grupit të Operacioneve Speciale, të vrarë gjatë aksionit për arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Dajti një javë më parë, morën dje në organin e akuzës rrobat dhe sendet personale të njerëzve të tyre. Familjarët e tyre janë paraqitur pranë godinës se Prokurorisë për Krimet e Rënda në orët e paradites së djeshme. Pasi janë prezantuar si familjarë të punonjësve të policisë, së rënë në krye të detyrës, ata kanë tërhequr rrobat dhe sendet e tjera personale të familjarëve të tyre. Burime pranë organit të akuzës sqaruan se bëhet fjalë për sende personale dhe veshje të tjera të oficerëve të vrarë, të cilat janë dërguar në prokurori pas ngjarjes së rëndë. Familjarët ishin njoftuar një ditë më parë, për tërheqjen e rrobave, pasi ato janë analizuar dhe më pas dokumentuar në procesverbale të Prokurorisë për Krimet e Rënda. Dje, pasi janë shënuar në një procesverbal të veçantë, ato iu janë dorëzuar familjarëve. Bëhet e ditur se ato kanë qenë kryesisht veshjet jo policore të policëve, si edhe sendet e tyre personale, si telefona celularë, bizhu, apo vlera monetare që kanë pasur me vete në momentin e aksionit. Ndërkohë që katër bluzat që mbanin veshur efektivët e GOS-it ditën e operacionit, dy prej të cilave me mbishkrimin “Policia”, janë dokumentuar dhe mbajtur nën cilësinë e provës materiale. Ato janë bluza me shenjat e plumbave që kanë marrë jetën e policëve. Gjithashtu, bashkë me to ka qenë edhe një jelek, si edhe një kapuç. Veshjet e sipërpërmendura kanë mbërritur pak ditë më parë në Prokurorinë për Krimet e Rënda, pasi janë ekzaminuar në Laboratorin Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë që burime pranë organit të akuzës, rikonfirmuan dje se operacioni policor për arrestimin e Dajtit ka qenë i mirëorganizuar. Sipas burimeve, plani operacional për ndalimin e Dajtit në vendstrehimin e tij në qytetin e Durrësit ishte firmosur nga tre funksionarë të Policisë së Shtetit. Po sipas burimeve, firmëtar në planin operacional ishte edhe vetë drejtuesi në terren, oficeri i policisë Fatos Xhani. ar.ba.
I katërti i masakrës, i skeduar për krime
Etleva Delia
Personi i katërt që ka marrë pjesë në masakrën e 7 gushtit, ku u vranë 4 oficerë policie, nuk ndodhej në makinë me Dritan Dajtin, por ishte duke e pritur vetëm disa metra larg vendit ku ndodhi ngjarja. Ky është përfundimi, në të cilin kanë arritur pas një jave hetimesh intensive, prokurorët e Krimeve të Rënda. Sipas burimeve nga organi i akuzës, mësohet se personi “misterioz”, i cili ende nuk është identifikuar nga policia, i ka dalë në mbrojtje Dajtit, duke qëlluar 5 herë me pistoletë në drejtim të policëve, por nuk ndodhej me të në makinë. Madje përveçse kaq, ka dyshime të forta se ky njeri, jo vetëm është miku i Dritan Dajtit, por është person i skeduar nga policia dhe mjaft i rrezikshëm, me një veprimtari kriminale në mbështetje të mikut të tij, por edhe personale. Burimet sqaruan se pas krahasimit të gjurmëve të fiksuara në vendin e ngjarjes, është provuar se miku i katërt i Dritan Dajtit, ka qenë duke e pritur atë në godinën 6-katëshe ku strehohej i shumëkërkuari. Pesë gëzhojat me kalibër 9 mm, që u gjetën në vendin e ngjarjes, i përkasin armës së këtij personi, i cili ka qëlluar nga një lartësi prej gati 5 metrash. Plumbat e tij nuk kanë zënë asnjërin prej oficerëve të policisë, të cilët vetëm pak sekonda më pas nuk i kanë shpëtuar dot armëve të Dritan Dajtit. Pasi ka qëlluar, ai ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por dyshohet se ka mbetur i plagosur në krah. Por edhe i plagosur, ai ka mundur t’i shpëtojë mjaft mirë policisë. Ekzistojnë disa dëshmitarë që flasin për një person të plagosur, i cili nuk ishte pjesë e policisë dhe që është parë duke ikur me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, me një armë në dorë. Sipas dëshmitarëve, ky është ndihmuar nga një grua, e cila i ka lidhur krahun me një rrobë që e ka rrëmbyer në ballkonin e katit të parë të pallatit. Ekspertët e kriminalistikës që kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, kanë fiksuar aty 5 gëzhoja që i përkasin një arme të vetme, dyshohet pistoletë, dhe që nuk i përkasin as armëve të Dritan Dajtit dhe as të policëve që kanë marrë pjesë në operacion. Në vendin e ngjarjes, në afërsi të kompleksit “Iliria” në Durrës, policia ka sekuestruar dy pistoleta, të cilat ekzaminimi në Laboratorin e Kriminalistikës i ka përcaktuar si armët e Dritan Dajtit. Pistoletat janë dy modele të ndryshme, njëra është model “HS2000”, prodhim kroat dhe që mban 15 fishekë, ndërsa tjetra është revolver me mulli, që mban 12 fishekë. Ndërkohë ekzaminimi i gëzhojave të gjetura disa metra më larg makinës “Tuareg” të Dajtit, ka çuar ekspertët në përfundimin se 5 nga gëzhojat i përkasin një pistolete me kalibër 9 mm dhe gjatësi gëzhoje 18 mm, e përafërt me atë të Dritan Dajtit, e cila dyshohet të jetë e personit të katërt që ende nuk është identifikuar.