Laç, zhduken dosjet e asistencës
KURBIN/ ROLAND NIKOLLI
Zhduken 57 dosje të asistencës sociale nga Zyra e Punës në Laç. Një skandal i paralajmëruar prej kontrollit të Auditit të Ministrisë së Punës, u bë publik dje nga dy ish-punonjëse të administratës së shtetit. Ato, ashtu si dhe shumë të tjera, rezultojnë në listë-pagesa se kanë tërhequr paratë e asistencës, ndërsa merrnin dhe lejen e lindjes. Por, në fakt ato vetë nuk kanë marrë asnjëherë paratë që u takon sipas ligjit, duke deklaruar se dikush tjetër ka firmosur, duke përfituar dhe paratë. Edhe përse Auditi i Ministrisë së Punës së zhvilluar pak kohë më parë i zhvilluar në këtë institucion ka dokumentuar shkeljet ligjore, deri tani asnjë nga punonjësit nuk ka marrë përgjegjësin ligjore për rrjedhjet që janë bërë nga arka e shtetit. Dy ish-punonjëset, Albana Preka dhe Vera Ndoci kanë ngritur zërin ditën e djeshme, pasi nuk kanë gjetur zgjidhje në Zyrën e Punës. Ato kanë denoncuar vjedhjen e lekëve, pasi sipas tyre, në listë-borderotë e kësaj zyre vetëm në njërën është firma e tyre, ndërsa në tjetrën është vënë firma e dikujt tjetër që ka tërhequr dhe paratë. Skandali është akoma më i madh kur ish-punonjëset trajtohen me asistencë dhe njëkohësisht me lejen e lindjes nga e njëjta zyrë. Ish-punonjësja Albana Preka thotë se ka kaluar në asistencë sociale duke vazhduar për gjashtë muaj. Më pas ajo e ka ndërprerë këtë pagesë, pasi është trajtuar me leje-lindjeje. "Në bazë të ligjit, pas mbarimit të lejes së lindjes më jepet e drejta që për kohën që unë duhej të trajtohesha me pagën e asistencës, të më paguhej pas mbarimit të lejes së lindjes. Kam ardhur për të tërhequr lekët dhe më rezulton se unë kam marrë dy paga njëkohësisht, gjë e cila nuk është e vërtetë. Për më tepër më vjen një shkresë nga Zyra e Punës ku thuhet se unë i kam marrë lekët. Dikush ka firmosur në emrin tonë. Mendoj se Prokuroria duhet të ndërhyjë për heqjen e tyre". Ndërsa Vera Ndoci, e cila edhe kjo figuron të ketë marrë dy paga shprehet se gjithashtu ka marrë vetëm lejen e lindjes dhe jo asistencën. "Dikush ka zhdukur dosjen time plotësisht dhe ka marrë lekët padrejtësisht. Shteti duhet të ndërhyjë për të zbardhur të vërteten", ka përfunduar ajo. Ndërkohë që drejtoresha e aktuale e Zyrës së Punës, Davita Jushi nuk ka pranuar të prononcohet, duke theksuar se në kohën e kontrollit të Auditit, ajo nuk ka qenë e punësuar këtu. Ndërsa është shprehur se Zyra e Punës po bën të gjitha përpjekjet për t'iu ardhur në ndihmë ish-punonjësve, konform ligjit.