E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dako: Të privatizohet shërbimi i ujësjellësit

• DURRES - Kryebashkiaku i Durrësit propozon privatizimin e shërbimeve të ujësjellësit dhe të kanalizimeve, në mënyrë që shërbimi ndaj komunitetit të jetë sa më korrekt.Këtë ide Vangjush Dako e hodhi gjatë takimit të zhvilluar në Durrës me kreun e Bashkisë së Budapestit, Gabor Demzsky. Kryebashkiaku i Durrësit, pasi i uroi mirëseardhjen i njohu shkurtimisht miqtë nga Budapesti me historinë e qytetit bregdetar dhe potencialet e tij. Dako vlerësoi përvojën e kryeqytetit hungarez në zgjidhjen e disa prej problematikave të rëndësishme për qytetarët, si furnizimi me ujë të pijshëm dhe sistemi i kanalizimeve. Para homologut të tij hungarez ai u shpreh se qyteti i Durrësit vuan nga këto mungesa dhe se pushteti vendor nuk është dakord me mënyrën se si po kalohen kompetencat e këtij sektori nga qeveria drejt njësive vendore. Sipas Dakos, privatizimi është mënyra më e mirë për të zgjidhur këto probleme. Ai shtoi se Demzsky është një drejtues me përvojë të gjatë dhe të vlefshme. Kryetari i Bashkisë së Budapestit, Demzsky tha se bashkia e kryeqytetit hungarez ka punuar me specialistë të aftë dhe projekte të mira, të cilat janë mbështetur financiarisht nga Banka Botërore dhe nga Bashkimi Evropian. Kryebashkiaku hungarez theksoi pushteti vendor i Budapestit ka punuar për privatizimin e këtij sektori, pasi ai e njeh më mirë terrenin dhe kërkesat e qytetarëve dhe të bizneseve. “Përparësitë e demokracisë shihen edhe në këtë fushë”, tha Demzsky. Më pas ai dhe Miklos Nagy paraqitën Fondacionin për Zhvillimin e Budapestit me rreth 250 mijë biznese, të cilat kreditohen nga bashkia me synim zhvillimin e qytetit.              o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›