Minatori i aksidentuar, në rrezik për jetën
• TIRANE – Gjendja e minatorit të aksidentuar në galeritë e minierës së Bulqizës të shtunën është e rëndë.Megjithë mjekimin intensiv në spitalin ushtarak të Esat Dedjës, 47 vjeç, shembja e dheut mbi trup i ka krijuar atij probleme kritike. Mjekët e spitalit ushtarak, të cilët janë kujdesur që prej mbërritjes së tij nga Bulqiza pohojnë se ende nuk ka garanci për jetën e Dedjas. Ai u zu poshtë nga një masiv i përbërë nga dhera, minerale e gurë, të cilat u rrëzuan papritur në momentin kur bashkë me dy kolegë po siguronin kushtet teknike të galerisë 14. Për ngjarjen nuk ka pasur reagime nga drejtuesit e minierës, ndërsa minatorët kanë paralajmëruar rinisjen e protestave masive për të kërkuar krijimin e sigurimit më të mirë teknik gjatë punës, pagë më të lartë, etj. Prej rreth një viti, në minierën e nxjerrjes së kromit në Bulqizë janë shkaktuar 8 të vdekur, ku më i fundit ishte rasti i nënkryetarit të sindikatës së minatorëve, Njazi Alliu.