Tenderat e rrugëve, dy prokurorë për dosjen e ish-zv/ministrit Jaka
• TIRANE – Për shkak të volumit të madh të veprimeve hetimore dhe procedurale që duhen kryer, Njësia Task-Force Antikorrupsion ngarkoi dy prokurorë mbi hetimin e dosjes së korrupsionit në tenderët e rrugëve.Ndryshe nga praktika e zakonshme e punës së Prokurorisë së kryeqytetit ku dosjet penale hetohen nga një prokuror bashkë me oficerët gjyqësorë, dosja penale me nëntë të pandehur do të hetohet nga dy prokurorë. Shkak për emërimin e dy prokurorëve në hetimin e dosjes së ish-zv/ministrit të Transporteve, Nikolin Jaka, sipas burimeve zyrtare është bërë numri i madh i veprimeve hetimore që duhen kryer dhe materialeve që duhen verifikuar. Zyrtarët më të lartë të akuzuar në këtë dosje janë ish-numri dy i Ministrisë së Transporteve, Nikolin Jaka dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Ilirian Berzani. Ata u arrestuan bashkë me shtatë persona të tjerë në shtator 2007, në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Duar të Pastra”. Hetimi filloi pas denoncimit të një biznesmeni pjesëmarrës në tenderin për ndërtimin e rrugës Haq-Qafë Prush. Ai pretendoi se zyrtarët e arrestuar kishin përcaktuar firmën fituese para se të zhvillonin tenderin duke u marrë ryshfet 10 për qind të vlerës së fondit. Një praktikë e tillë sipas hetimeve është ndjekur nga të arrestuarit edhe në tre tendera të tjerë rrugësh me fonde të konsiderueshme në vlera financiare. Asnjëri nga nëntë të arrestuarit e aksionit “Duar të Pastra” nuk ka pranuar akuzat e ngritura nga Prokuroria. tr.so