Kërpi, shoqata “sherr” me komunën
• Kultivimi i bimës së kërpit në komunën e Shkrelit, në veri të Shqipërisë bëhet shkak për debate mes përfaqësuesve të shoqatës angleze dhe drejtuesve të pushtetit vendor në Shkodër.DASHAMIR BIÇAKUPak ditë më parë, në një takim me drejtues të policisë, kryetari i Komunës së Shkrelit, Ferdinand Stërkaj, tha se kultivimi i kërpit në këtë zonë po bëhej jashtë kontrollit të shtetit. Ai akuzoi se personat përgjegjës nuk kishin fatura dhe as analiza për farën e bimës dhe as për prodhimin. Pas këtyre akuzave, ka reaguar koordinatori shqiptar i shoqatës angleze “Partneritet për Zhvillim”. “Sulmi i kryetarit të Komunës së Shkrelit, Ferdinand Stërkaj, ndaj mbjelljes së kërpit ka qëllim politik. Vëllai im, Martin Pëllumbi, ka qenë rival i tij për zgjedhjet në këtë komunë”. Alfred Pëllumbi, një nga koordinatorët shqiptarë me shoqatën angleze, “Partneritet për Zhvillim”, ka reaguar pas deklaratës së kryekomunarit Stërkaj se kërpi ishte jashtë kontrollit të shtetit. Alfred Pëllumbi tha dje për gazetën “Panorama”, se sulmet e kryetarit të komunës së Shkrelit, kanë më tepër qëllime politike se sa janë shqetësim në të vërtetë për kërpin. Pëllumbi pohon se asnjë herë mbjellja e kërpit nuk ka qenë jashtë kontrollit të shtetit, pasi në të gjitha rastet, çdo veprim që është kryer ka qenë konform ligjeve shqiptare, për farërat. “Kërpi, tashmë njihet botërisht se është bimë e lejuar. Dihet publikisht tashmë se policia vetëm disa muaj më parë asgjësoi në fshatin Brushtull të Shkrelit disa dynym kanabis. Si ka mundësi që ai si kryetar komune nuk dinte asgjë”? Pëllumbi, tregon një fletë-deklarim të Institutit Kombëtar të Agrikulturës, në Budapest që mban datën 16 korrik 2001. Në të sqarohet sasia e THC-së, ku përcaktohet edhe kategorizimi dhe se bima nuk ishte e vlefshme nëse tregtohej si kanabis pasi nuk kishte vetitë e saj. “Kjo është fletë-analiza që ka shoqëruar farën në mbjelljen tonë që e kemi kryer për herë të parë në vitin 2001. Ishte një farë hungareze, por pas vitit 2003, ne kemi operuar me farë franceze”,- pohon Pëllumbi. Sipas tij edhe këtë farë, ata e kanë marrë me një fletë analize të posaçme e cila shoqëronte farën në të cilën jepeshin në mënyrë të detajuar të dhënat e saj. Ai tregon se të gjithë veprimet që ata kanë kryer nga viti në vit, kanë informuar autoritetet përkatëse si Policinë e Shtetit, apo edhe ente të tjera që ata e kanë parë të nevojshme për t’i lajmëruar. “I kemi dërguar autoriteteve policore listën e emrave të fermerëve që kanë kultivuar këtë bimë. Po kështu iu kemi dërguar edhe zonat ku ndodhen parcelat e mbjella, me kë kufizohen dhe sipërfaqen totale që është mbjellë”. Koordinatori mes “Partneritet për Zhvillim” dhe shoqatës së fermerëve të Shkrelit, tregon se të gjitha veprimet e tyre janë kryer, për të qenë sa më transparentë me organet shtetërore edhe pse ne nuk kemi pasur një detyrim ligjor për këtë. Veç fletë analizës së Institutit hungarez, Pëllumbi, reklamon edhe një kopje të aktit të ekspertimit toksikologjik të kryer nga dhjetori i vitit 2001 deri në janar të vitit 2002. Ekspertimi, tregon se mostrat e analizuara, nuk përmbajnë principin aktiv të THC-së, që i japin bimës vetinë për përdorim si substancë narkotike.120 mijedollarë, i detyrohet shteti shqiptar, shoqatës angleze dhe fshatarëve, në bazë të vendimit të gjykatës për dëmin e shkaktuar në vitin 20015 dynymeështë sipërfaqja e tokës së mbjellë me kërp nga shoqata angleze në bashkëpunim me disa fermerë të Komunës së Shkrelit në Malësinë e MadheShqipëria paguan 120 mijë dollarë për kërpin e korrur nga policiaTIRANE - Alfred Pëllumbi tregon se që prej më tepër se tri vitesh është fituar ligjërisht konflikti me shtetin shqiptar për dëmin e shkaktuar në vitin 2001, nga korrja e kërpit. “Me vendim gjyqësor ne kemi fituar veç pafajësisë në këtë çështje edhe një dëmshpërblim për korrjen e kërpit, në vlerën e 120 mijë dollarëve amerikanë”. Marrja e kësaj mase dëmshpërblimi, për kërpin e korrur nga shteti në vitin 2001, do të përbënte një hap përpara në nisjen e ngritjes së industrisë së përpunimit dhe nxjerrjes së produkteve dhe nënprodukteve të kërpit. Pëllumbi thotë se ata aktualisht kanë qenë në fazën e eksperimentimit të prodhimit të produkteve të ndryshme, që mund të fitohen nga përpunimi i kërpit të prodhuar. “Gjatë kësaj kohe vetë fshatarët kanë mbjellë kërp dhe ai është përpunuar në mënyrë artizanale. Kemi prodhuar tulla për ndërtim, me fijet e kërcellit të kërpit pasi lidhja e tyre me njëra-tjetrën, prodhon tulla cilësore, ekonomike dhe mjaft të vlefshme në ndërtim”. Më tej ai tregon se ata kanë prodhuar qilima artizanalë nga fshatarët e zonës, prodhimet e të cilëve janë shitur jashtë vendit kryesisht në Angli. “Ne do të vazhdojmë fazën eksperimentale edhe për disa kohë deri sa të ekzekutohet nga zyra e Përmbarimit, vendimi i formës së prerë për dëmshpërblimin e dhënë nga gjykata në favorin tonë dhe të fermerëve të dëmtuar në masën e 120 mijë dollarëve”. Pëllumbi tregon se është në plan hapja dhe ngritja e industrisë përkatëse që do të niste përpunimin e kërpit, por edhe do të punësonte një numër të konsiderueshëm njerëzish. “Gjithashtu ne kemi në plan të shtrijmë aktivitetin dhe projektin tonë edhe në zona të tjera të vendit nëse do të ketë interes nga fermerët. Ne pritet ta shtrijmë këtë aktivitet, pas përfundimit të fazës eksperimentale”,- përfundoi koordinatori i shoqatës anglo-shqiptare.Stërkaj akuza në takimin me policinëTIRANE - Të premten e javës së kaluar, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, zhvilloi një takim me përfaqësues të komunave në të gjithë vendin për t’i paraprirë luftës ndaj kanabisit. Gjatë komunikimit mes të zgjedhurve vendorë dhe drejtuesve të Policisë dhe Ministrisë së Brendshme, kryetari i Komunës së Shkrelit, Ferdinand Stërkaj, pohoi se mbjellja e kërpit në këtë komunë ishte jashtë kontrollit të shtetit. Ai pohoi se përfaqësuesit e shoqatës nuk kanë paraqitur asnjëherë fatura doganore se ku ka përfunduar prodhimi, apo se nga ka mbërritur fara me të cilën është kultivuar kanabisi. Drejtori i Luftës ndaj Krimit të Organizuar, nënkomisar Arjan Muça, pohoi si reagim ndaj Stërkajt, se të gjithë ata që do të gjendeshin me përqindje THC- je më tepër se 0.1, do të arrestoheshin. Pas këtij debati, ka reaguar edhe Alfred Pëllumbi, duke dhënë argumentet e tij mbi këtë çështje.