“Përgjimet ambientale të përfshihen në ligjin e ri”
• Përgjimet ambientale duhet të parashikohen si të lejuara nga ligji i ri “Për përgjimet” si një mundësi e policisë për parandalimin e veprave penale.Trazhgim SokolajKërkesa është bërë nga zyrtarë të policisë pas situatës së krijuar me përgjimet telefonike të cilat po dështojnë gjithnjë e më shumë. Personat e dyshuar për trafiqe, veprimtari të tjera të paligjshme apo korrupsion kanë reduktuar bisedat telefonike ç’ka ka shkaktuar dështimin e një sërë përgjimesh telefonike të zhvilluara ndaj tyre. Në këto kushte e vetmja mundësi e policisë për t’u informuar mbi veprimtarinë e personave të implikuar në trafiqe apo në korrupsion janë përgjimet ambientale. Mirëpo përgjimi ambiental sipas përmbajtjes aktuale të ligjit, nuk mund të bëhet për qëllime të parandalimit të veprës penale. Përgjimi ambiental, sipas parashikimeve të ligjit aktual, hyn në kategorinë e përgjimeve procedurale të cilat zhvillohen vetëm me autorizim të prokurorit dhe me lejim të gjykatës. Vetëm në këto kushte ato njihen si prova nga gjykata ose nga prokuroria. Mirëpo përvoja e policisë shqiptare njeh një numër të konsiderueshëm përgjimesh parandaluese të bisedave telefonike të cilat nuk janë çuar si prova në gjykatë. Ato janë përdorur për të mësuar vendin dhe kohën e takimit të trafikantëve për nisjen e ngarkesave me drogë apo edhe shkëmbimin e parave mes sekserëve dhe zyrtarëve të korruptuar, por nuk janë dërguar në gjykatë si prova materiale.Kërkesa për ligjinZyrtarët e rendit shprehen se është koha e përshtatshme që kjo mangësi ligjore të zgjidhet pasi projektligji për ndryshime në ligjin për përgjimet ndodhet në fazën e diskutimeve në Komisionin Parlamentar. Sipas policisë, është e nevojshme që edhe përgjimi ambiental të njihet nga ligji si një procedurë e zbatueshme në kuadër të parandalimit të krimeve të ndryshme. Përgjimi ambiental realizohet përmes pajisjeve të regjistrimit të zërit apo të figurës, të cilat vendosen në mënyrë specifike në ambientet ku qëndrojnë personat e dyshuar. Me anë të këtyre pajisjeve, policia regjistron bisedat e personave të inkriminuar, të cilat dëgjohen e më pas dhe transkriptohen. Në këtë mënyrë strukturat e rendit përfitojnë informacione me vlerë mbi aktivitetin e personave të dyshuar për veprimtari kriminale. Policia dhe Prokuroria kanë konstatuar se prej muajsh përgjimet e bisedave telefonike nuk kanë pasur shumë rezultat. Shkak është bërë bërja publike në mënyrë të vazhdueshme e faktit se personat e arrestuar për vepra të ndryshme penale ishin tradhtuar nga bisedat telefonike që kishin kryer, të cilat ishin përgjuar. Sipas policisë, përveç dokumentimit të veprimtarisë kriminale të grupeve të personave apo të individëve të veçantë, një rëndësi parësore ka edhe parandalimi i krimeve dhe kjo, sipas zyrtarëve, në një pjesë të mirë të rasteve mund të realizohet me anë të përgjimeve ambientale.Përgjimet ambientale, provaRegjistrimi i bisedave apo i veprimeve të personave të dyshuar, përmes mikrofonave apo mikrokamerave të autorizuara nga prokuroria dhe të lejuara nga gjykata, njihen si prova materiale gjatë procesit gjyqësor. Kjo formë përgjimi parashikohet në ligjin aktual si përgjim procedural, i cili ka efektin e provës. Ligji nuk lejon përdorimin e përgjimeve ambientale për qëllime parandaluese nga Shërbimi Informativ, policia apo agjenci të tjera të zbatimit të ligjit.Konflikti për përgjimet telefonike,zyra te Prokuroria e Përgjithshme TIRANE – Debatet për përgjimet janë bërë shkak i ndryshimeve ligjore, të cilat konkludojnë në rritjen e autoritetit dhe kompetencës së Prokurorisë në këtë procedurë. Në këtë mënyrë, pas një kërkese të bërë nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, në qeveri, kjo e fundit ka propozuar një ndryshim në ligj. Ndryshimi në ligjin për përgjimet parashikon zhvendosjen e bërthamës së përgjimeve procedurale nga Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili ndodhet aktualisht në zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme. Debatet kanë përfshirë edhe pozitën e Policisë së Shtetit në procedurat e përgjimeve. Gjatë diskutimeve në komisionin parlamentar është kërkuar që policisë të mos i lejohet të zhvillojë përgjime pa lajmëruar Prokurorinë, kjo për shkak të garantimit të të drejtave të njeriut. Aktualisht procedura e përgjimeve është e tillë, që edhe në rast se përgjimi fillohet për nevoja urgjente nga policia apo nga Shërbimi Informativ Shtetëror, brenda 24 orëve nga fillimi i procedurës duhet të lajmërohet Prokurori i Përgjithshëm. Zhvendosja e bërthamës elektronike të përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, i krijon mundësi organit të akuzës jo vetëm të vendosë ligjërisht për përgjimet, pra nëse duhet të lejohen apo jo, por edhe të marrë vendime konkrete për zhvillimin e përgjimit, përmes pajisjeve të Zyrës së Përgjimeve në organin qendror të akuzës.