E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtet e rënda, 300 të burgosur: Gati për grevë

• TIRANE - Rreth 300 të paraburgosur në kryeqytet kanë lajmëruar paraditen e djeshme se do të protestonin ndaj kushteve të këqija në qeli si shkak i mbipopullimit.Burime nga institucionet e paraburgimit në Tiranë, pohojnë se autoritetet janë njoftuar nga të ndaluarit për protestën dhe se kanë pretenduar se do të nisin grevë nëse problemi i tyre nuk gjen zgjidhje. Si pasojë e kësaj pasditen e djeshme, policia e burgjeve ka bërë transferimin e disa të paraburgosurve duke zbutur mbipopullimin. Gjatë kësaj kohe janë zhvilluar edhe disa kontrolle rutinë nëpër disa qeli në kërkim të celularëve dhe sendeve të paligjshme që ata mbajnë pa leje. Burime nga burgjet pohojnë se gjatë kontrolleve në qelitë e Burgut 313, u zbuluan dhe u sekuestruan prej policëve 6 celularë të fshehura mes sendeve të të paraburgosurve. Celularët iu dorëzuan autoriteteve të burgut, të cilët do të vendosin nëse do dërgojnë ose jo në prokurori mbajtësit e tyre. Burime nga ky burg pohojnë se prej disa ditësh ishte siguruar informacioni për celularët, ndërkohë ishte pritur momenti i përshtatshëm për të vepruar, ndërsa i janë nënshtruar kontrolleve rutinë edhe disa sektorë të tjerë të burgut, në të cilët është gjetur vetëm një celular. Ndërkohë të burgosurve u është kërkuar që nëse do futeshin në grevë urie, kjo do të respektohej si një formë e protestës së tyre, por më parë ata duhet të firmosnin deklaratat e grevës dhe të nxirrnin jashtë qelive ushqimet. Ende nuk ka konfirmim të faktit nëse të arrestuarit që pretendojnë se do nisin grevën kanë pranuar apo jo nënshkrimin e deklaratave. Prej disa vitesh në qelitë e burgjeve shqiptare është dhënë alarmi për mbipopullim, i cili ka qenë më i theksuar në kryeqytet. Edhe pse një pjesë e mirë e të arrestuarve që ndodhen me masë sigurie “arrest në burg” ndodhen ende në qelitë e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe komisariateve, mbipopullimi në qelitë e burgjeve 313 dhe 302 është i konsiderueshëm. Në një raport të pak ditëve më parë, Avokati i Popullit pas inspektimit të qelive në burgjet e kryeqytetit ka nxjerrë se vetëm në qelitë e Burgut 302 si pasojë e mbipopullimit rreth 200 të paraburgosur flinin në dysheme. Në kryeqytet funksionojnë dy paraburgime me kapacitet normal për rreth 1300 vetë, ndërkohë mbipopullimi në të llogaritet në rreth 400 persona. Në dy burgjet, 313 dhe 302, përveç të arrestuarve për llogari të Gjykatës së Tiranës dhe Apelit, mbahen të izoluar edhe të paraburgosurit e Krimeve të Rënda dhe në dy sektorë të veçantë te Burgu 313, qëndrojnë gratë dhe të miturit e arrestuar. Tri ditë më parë inspektorët e Avokatit të Popullit kanë bërë një vëzhgim në Paraburgimin 302 në Tiranë. Gjatë këtyre verifikimeve ata arritën në përfundimin se si pasojë e mbipopullimit një numër i lartë të arrestuarish flinin në dysheme për shkak të mungesës së dyshekëve dhe krevateve. Shkak për këtë është bërë mbajtja e një numri më të lartë personash sesa norma e lejuar në një qeli. Në këto kushte qelitë nuk zënë krevate për të gjithë personat që mbahen aty kështu që disa të arrestuar janë të detyruar të flenë në dysheme jashtë të gjitha kushteve të parashikuara nga korniza ligjore për të drejtat e të dënuarve. Një numër i konsiderueshëm ankesash mbërrijnë thuajse çdo ditë në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Avokatit të Popullit pikërisht për sektorin e burgjeve. Në shumicën e rasteve personat e dënuar dhe të arrestuar ankohen për kushtet e rënda në të cilat mbahen dhe kërkojnë përmirësimin e tyre në bazë të parashikimeve ligjore për një jetesë normale edhe pse pas hekurave të qelive.                 f.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›