E Diel, 1 Nëntor 2026

Dogji avionin në përplasje me armë në aeroport, ekstradohet shqiptari

• IRLANDE – Një shtetas shqiptar është ekstraduar dje nga Irlanda për në Skoci, ku do të dalë para gjykatës për akuzën e një shkëmbimi me armë në aeroport duke shkaktuar djegien e një avioni.Lajmi bëhet i ditur nga “The Press Association”, e cila citon se shtetasi shqiptar është 35-vjeç, ndërsa identiteti i plotë i tij nuk bëhet publik nga policia. I akuzuari mësohet se është ekstraduar nga Irlanda në drejtim të Skocisë pasi gjykata e këtij vendi është kompetente për çështjen e tij. Sipas policisë, 35-vjeçari ka marrë pjesë në një shkëmbim zjarri në aeroportin e njohur ndërkombëtar “Glasgow”. Ngjarja ka ndodhur aty në janar të vitit 2005. Në rrethana ende të paqarta, siç duket në tentativë për t’iu arratisur arrestimit të policisë, shqiptari është përfshirë në një shkëmbim zjarri. Gjatë ngjarjes mësohet se është qëlluar aksidentalisht me plumba edhe një prej avionëve që ndodhej në aeroport. Si pasojë e goditjes me plumba, avioni “A BMI 49” ka marrë flakë dhe është djegur thuajse tërësisht pavarësisht ndërhyrjes së autoriteteve. Shqiptari është mbajtur në qeli në Irlandë ndërsa dy vendet kanë kryer procedurat e ekstradimit me qëllim gjykimin e 35-vjeçarit për krimin që akuzohet se ka kryer. Ditën e djeshme i akuzuari është përcjellë nga oficerët e Interpolit të cilët e dorëzuan atë pranë autoriteteve skoceze. Policia bëri me dije se së shpejti shqiptari do të dalë para gjykatës kompetente, e cila është njohur me provat e mbledhura kundër të arrestuarit. Burimet zyrtare saktësuan se procedura e ekstradimit është zhvilluar normalisht. I akuzuari është shoqëruar me masa të zakonshme sigurie sipas rregullave të ekstradimeve ndërkombëtare. Sipas autoriteteve, shqiptari nuk paraqiti probleme për punonjësit e policisë që po e shoqëronin ndërsa nuk bëhet e ditur nëse 35-vjeçari i arrestuar ka mbajtur ndonjë qëndrim për akuzat e ngritura ndaj tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›