Oficeri i Flotës Detare kapet si korrier droge
17/12/2009 Feliks Rusto në Durrës transportoi në muajin maj, 8 kg drogë në Librazhd
TIRANE- Oficeri i lartë i ushtrisë u prangos dje nga policia, pasi shërbente si korrier droge. Trafikimi i lëndëve narkotike, duket se në Shqipëri është kthyer në modë, pasi përveç eksponentëve të njohur të këtij krimi, kohët e fundit në trafikun e drogës kanë hyrë edhe persona që shërbejnë pranë radhëve të Forcave të Armatosura. Precedenti i radhës është shënuar ditën e djeshme, ku një oficer i lartë ushtrie ka rënë në prangat e policisë, pasi rezulton se ai është korrieri i një grupi kriminal që më datën 10 maj 2009 u janë sekuestruar rreth 8 kg lëndë narkotike të llojit heroinë. Burimet thanë se oficeri i ushtrisë quhet Feliks Rusto, me detyrë komandat i M/V 121 të Flotiljes Detare të Veriut dhe arrestimi është kryer në qytetin e Durrësit. Oficeri s’ka bërë asnjë rezistencë ndaj policisë, duke thënë se nuk ka bashkëpunuar me asnjë trafikant droge. Operacioni për ndalimin e tij është drejtuar nga Prokurori i Krimeve të Rënda Anton Martini, i cili për gati 8 muaj hetime nëpërmjet përgjimeve dhe shenjave të gishtave, ka mundur të zbardhë identitetin e oficerit si dhe të përcaktojë rolin e oficerit, brenda këtij grupi kriminal që specialitetin e kishte në trafikun e lëndëve narkotike. Nga veprimet hetimore si dhe nga provat e administruara në dosje është arritur të provohet se oficeri i Flotës Detare Feliks Rusto, ka shërbyer disa herë si korrier droge, pranë grupit të përberë prej tre shtetasve Enver Gjura 66 vjeç, Oltion Gjura 22 vjeç dhe Ermal Gjura 20 vjeç. Hera e fundit që ai ka kryer këtë detyrë ka qenë transportimi i një sasie prej 8 kg heroinë, të cilën dyshohet se oficeri e ka marrë nga një qytet i vendit dhe e ka çuar atë në qytetin e Librazhdit. Mësohet se grupi ia besonte Rustos gjithmonë detyrën e korrierit, pasi duke qenë oficer pranë Flotës Detare Durrës si dhe duke mbajtur të veshur uniformën ushtarake, ai nuk binte në sy nga efektivat e Policisë së Shtetit. Kjo ndihmonte të arrestuarin që gjatë transportimit të drogës, ai të mos ndalohej nga Shërbimet e Policisë Rrugore. Sapo çonte në destinacion mallin e porositur, oficeri i Forcave të Armatosura merrte nga tre bashkëpunëtorët e tjerë shumën financiare që i ishte garantuar. Ndërkohë që më pas, lënda narkotike përpunohej në një laborator në qytetin e Librazhdit, dhe pasi ndahej në porcione të ndryshme, ajo përgatitej që të trafikohej në shtetin grek. Për të realizuar këtë qëllim, rrjeti kishte mundur të siguronte korrierë të tjerë, të cilët dyshohet se nga qyteti i Korçës mundësonin kalimin e heroinës në shtetin helen. Ndërkohë që aktualisht ndaj oficerit të Flotës Detare Feliks Rusto, Prokuroria për Krime të Rënda ngriti akuzën e “trafikimit të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
Roli në ushtri
Oficeri i arrestuar Feliks Rusto prej disa vitesh ka shërbyer pranë Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ai i shërbente atdheut në regjimentin e Flotës Detare Durrës, ku pikërisht në këtë komandë ai ushtronte detyrën e komandantit të M/V 121 të Flotiljes Detare të Veriut, ku nëpërmjet saj ai patrullonte me anije nga porti i Durrësit deri në kufi me ujërat e Malit të Zi. Qëllimi i këtyre patrullave ka qenë ruajtja e sovranitetit të vendit, si dhe luftimi në det i grupeve kriminale që kishin synim trafikimin e drogës dhe qenieve njerëzore.
Pasuria në Librazhd
Tre personat njihen në zonën e Librazhdit si pronarët e një restoranti luksoz që ndodhet në qendër të qytetit si dhe të një restoranti tjetër që ndodhet buzë rrugës Librazhd-Tiranë. Gjatë operacionit për ndalimin e tyre ata ishin duke drekuar. Aktualisht specialistët e Krimeve të Rënda kanë ngritur dyshime edhe për disa persona të tjerë, të cilët mendohet se janë bashkëpunëtorë në trafikun e rreth 8 kg heroinë. Pritet që në ditët në vazhdim akuza do të përcaktojë me prova konkrete implikimin ose jo të tyre në këtë aktivitet kriminal.
Roli i korrierit
Nga veprimet hetimore si dhe nga provat e administruara në dosje është arritur të provohet se oficeri i Flotës Detare Feliks Rusto, ka shërbyer disa herë si korrier droge, pranë grupit të përberë prej tre shtetasve Enver Gjura 66 vjeç, Oltion Gjura 22 vjeç dhe Ermal Gjura 20 vjeç. Kjo detyrë i besohej Rustos, pasi duke qenë oficer pranë Flotës Detare Durrës, si dhe duke mbajtur të veshur uniformën ushtarake, ai nuk binte në sy nga efektivat e policisë së shtetit. Kjo ndihmonte të arrestuarin që mos ndalohej nga Shërbimet e Policisë Rrugore.
Precedenti
Më 25 gusht të vitit të kaluar Durim Zaimi, 19 vjeç, ushtar pranë repartit 4401, është prangosur në Qytetin Studenti nga agjentët e policisë, të cilët i kanë bllokuar atij 1.2 gramë kokainë si dhe një fletë hyrje të repartit 4401. Sipas burimeve të policisë, dyshohet se ushtari furnizonte përdorues të kokainës në këtë repart ushtarak si dhe në Qytetin Studenti. 19-vjeçari nga kryeqyteti është ndaluar nga antidroga e Tiranës me akuzën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Aktualisht Zaimi është duke u gjykuar.
Operacioni “Oktapodi”
Më 10 maj të vitit 2009 Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Oktapodi”, ku u bë e mundur sekuestrimi i 8 kg lëndë narkotike heroinë, si dhe u arrestuan në flagrancë tre shtetasit Enver Gjura, 66 vjeç, djali i tij Oltion Gjura, 22 vjeç dhe nipi Ermal Gjura, 20 vjeç, që të 3 nga qyteti i Librazhdit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda e narkotike, pajisje për presim dhe përzierjen e lëndës narkotike.