Dalipi: “Berisha të mos i kërcënojë mediat”
Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Dalipi, ka shprehur shqetësimin për fushatën më të fundit të sulmeve të kryeministrit Berisha ndaj medias së lirë në Shqipëri. “Kërcënimet që në ditën e parë të këtij Kuvendi ngritën dhe po mbajnë gjallë sot në vitin e tretë të kësaj maxhorance një mekanizëm politik kontrollues. Kjo frymë synon të penalizojë rebelët dhe kundërshtarët mediatikë dhe të mbajë nën fre të urtët dhe frikacakët si dhe të pëdorë të bindurit dhe të paguarit”, - tha Dalipi. Gjatë fjalës së tij në seancën e djeshme të Kuvendit, deputeti socialist theksoi se media nuk mund të jetë fajtore pse nxjerr dhe zbulon skandalet e qeverisë “Berisha”. “A është fajtore media që tregoi te sytë e të gjithë shqiptarëve tragjedinë e Gërdecit dhe bëri të pamundurën për të zbuluar autorët, midis të cilëve ishte dhe familja e kryeministrit? A ishte fajtore media se publikon çdo ditë raporte të ndërkombëtarëve që e rendisin shqipërinë si kampione të korrupsionit, kriminalitetit dhe varfërisë ekonomike? A është fajtore media se kërkon lirimin nga detyra e drejtorit të Tatimeve, Arben Sefgjinin, i cili është i akuzuar për një vrasje makabër?” - tha deputeti i PS-së, Alfred Dalipi.
30 Maj 2008